
Shqipëria u zgjodh anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se në votim kanë marrë 190 vende, nga të cilat, 175 kanë mbështetur Shqipërinë me votë.
Shqipëria do të ulet në karrigen e Këshillit të Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023.
Kjo datë shënoi një moment historik dhe tejet të rëndësishëm për diplomacinë shqiptare, pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurisë.
Lidhur me këtë moment historik, ka reaguar dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Besiana Kadare.
Këtë lajm e njoftoi dhe Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Sesionin e tij të 75-të, Volkan Bozkir në Twitter.
Ky organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurrentë nga rajonet përkatëse, për pesë vendet.



