
Aktivisti dhe përfaqësuesi i International Centre of Justice for Palestinians (ICJP) në Shqipëri, Baki Goxhaj, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryerabinit të Shqipërisë, Yoel Kaplan, nën akuzën e pjesëmarrjes në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Rripin e Gazës.
Në një intervistë për edicionin informativ të “MCN TV”, Goxhaj deklaroi se kallëzimi është hartuar pas një pune disamujore nga juristët e ICJP në bashkëpunim me juristë shqiptarë, dhe përmban akuza të rënda, përfshirë gjenocid, krime lufte, propagandë terroriste dhe krime kundër njerëzimit.
Kemi depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj kryerabinit Yoel Kaplan, i cili dyshohet për përfshirje aktive në gjenocidin në Gaza, si dhe për propagandë publike që nxit dhunë. Kallëzimi përfshin dispozitat më të rënda të Kodit Penal shqiptar,” u shpreh Goxhaj.
Kallëzimi është dorëzuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me qëndrimet e Kombeve të Bashkuara, të cilat në raportet e tyre të fundit kanë cilësuar veprimet e Izraelit në Gaza si gjenocid.
Sipas dokumenteve dhe provave që kanë mbledhur, Kaplan ka qenë pjesëtar aktiv i Divizionit të 98-të të ushtrisë izraelite, dhe ka marrë pjesë në operacionet ushtarake në Khan Younis, gjatë kohës që shërbente si kryerabin.
Ka informacione të mjaftueshme që tregojnë për praninë e tij në Gaza dhe përfshirjen në veprime që mund të konsiderohen si krime lufte, sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare.
Goxhaj i bëri thirrje autoriteteve të drejtësisë që të mos ndihen të intimiduara, duke kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm të këtij rasti.
Gjyqësori shqiptar është i pavarur nga qeveria. Në momentin që OKB e cilëson zyrtarisht situatën si gjenocid, kjo duhet të jetë një arsye e mjaftueshme për institucionet tona që ta marrin këtë kallëzim me seriozitet të plotë.
Kërkojmë që drejtësia shqiptare të mos intimidohet. Kjo çështje ka rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nëse duam të ruajmë integritetin e sistemit tonë ligjor, raste të tilla nuk mund të injorohen.
Kaplan, sipas Goxhajt, dyshohet se ka pasaportë shqiptare.
Rabini ka aktivitet të rregullt në Shqipëri, si kryerabin zyrtar.
Sipas indicieve që kemi mbledhur, dyshohet se ai ka edhe pasaportë shqiptare, çka e përfshin drejtpërdrejt në juridiksionin e drejtësisë sonë.



