Pronarët e inceneratorit të Tiranës

Pronarët e inceneratorit të Tiranës

Letrat e harruara në zyrat e Prokurorisë së Posaçme për të gjetur të vërtetën se çfarë ka ndodhur me një nga vjedhjet më të mëdha në Shqipëri, do t’i gërvishte një intervistë nga arratia e ish numrit 2 në qeverinë Rama, Arben Ahmetaj.

Ahmetaj, tashmë një rezident në Lugano të Zvicrës ku është në pritje të aprovimit të kërkesës për të marrë azil, ngriti akuza të rënda për mënyrën se si funksionon qeverisja, përgjegjësitë që kanë nivele të larta përfshirë këtu vetë kryeministrin Edi Rama dhe kreu e bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj.

“Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë.” deklaroi Arben Ahmetaj.

“Konfirmova ato që kam thënë që në 3 mars 2021 që pronarët aktualë të incenrratorit të Tiranës janë kryeministri dhe kryetrai i bashkisë Tiranë. Ai na vuri në pah 3 standardet e përdorimit të sistemit të drejtësisë në çështjet që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe mesazhet kërcënuese që përdor kryeminsitri për të përodrur drejtësinë si kamxhik për kundërshtratët e tij.” thotë deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi.

“Kam përshtypjen që është intervista e parë në historinë tonë politike në të cilën numri dy i qeverisë akuzon numrin një që ka tentuar ta eleminojë fizikisht, se ka marrë kërcënime për jetën e tij dhe të fëmijëve të tij dhe ikën në zail politik për shkak se i kërcënohet jeta.” thotë antari i Kryesisë së PD të Rithemelimit Belind Këlliçi.

Arben Ahmetaj sfidoi SPAKU-n që t’i përgjigjej një pyetje: përse është pronar faktik Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto te Inceneratori i Tiranës dhe jo Erjon Veliaj.

Në analogjinë që ka bërë Prokuroria e Posaçme në hetimin e djegësit të Tiranës, është ky argumentim lidhur me pronarët faktikë:

“Me aktet e administruara sipas prokurorisë, rezulton se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë ‘de facto’ pronarët e shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’, të cilët kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët.” thuhet në dosjen e SPAK për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës.

“Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri që janë aksioner te inceneratorët për të cilët prokuroria ka marë masa sigurimi dhe janë në kërkim, ka dhe aksionerë të tjerë. Kjo nuk është e sqaruar. Mund të jetë e qartë për prokurorin, por në publik nuk është e sqaruar sa qëndron ky pretendim dhe çfarë roli kanë aksionerët e tjerë në historinë e inceneratorit.” thotë ish-prokurori Gent Tërnova.

“Paratë janë shumë kollaj për tu gjetur sepse janë në offshore. Që të shkosh deri te paratë, mjafton të shoëhsh pagesat përmes thesarit që bën bashkia Tiranë” thotë Kryemadhi.

Sipas materialeve dhe dokumentave që janë pjesë e dosjes së hetimit për Tiranën janë zbuluar se Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto kishin përfshirë emra firmash të huaja për të dhënë imazhin se pas inceneratorit kishte pronarë të tjerë, jo vetëm emëronin punonjës fiktivë si drejtorë në Hollandë për të nënshkruar vendimet që ‘de facto’ i merrinin ata, por menaxhonin dhe paratë e kompanisë Geogenix. Paratë që merrte kompania Integrated Energy kaloheshin përmes disa firmave të tyre në Tiranë, një pjesë të hapura fiktivisht dhe disa të tjera që ofronin shërbime dhe konsulenca.

“Janë gjetur emaile nga adresa e Denisa Tollkuçi në drejtim të shoqërisë ‘Almares Management B.V.' që të nënshkruajë dokumentacion dhe prokura, të cilat i japin të drejtë shtetasit Mirel Mërtiri që të veprojë në emër të shoqërisë holladeze ‘Integrated Energy B.V.’ për të hapur llogari bankare në Zvicër dhe kryer transaksione nga kjo llogari.” thuhet në dosjen e SPAK.

Sfida që bëri ish/zëvendës kryeministri bazohet në disa emaile të publikuara nga antari i kryesisë së Partisë Demokratike të Rithemelimit Belind Këlliçi. Në këto dokumenta tregohet se si Veliaj jep urdhra për përjashtimin nga tarifa e depozitimit të dherave pranë landfillit të Sharrës disa kompani të caktuara, duke shfaqur sjelljen e një pronari të kompanisë koncesionare.

“Erjon Veliaj dhe administrata e Bashkisë Tiranë figurojnë në emaile që jepen urdhra ndaj inceneratorit të Tiranës se kush kullë do të duhet të depozitojë mbetjet me pagesë dhe kush jo. Ky është rasti i një kulle që ndodhet mbrapa bashksië Tiranë dhe për mbetjet e prishjes së Teatrit Kombëtar.” thotë Belind Këlliçi

Akuzat nuk mbarojnë këtu. Emri që zgjoi dyshime të shumta dhe ftoi prokurorët dhe mediat që të investigojnë është ai i një shtetasi kosovaro-zvicerian Blerim Hoxha.

Pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës? Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar? çfarë lidhjesh ka qeveritare dhe biznesi në Shqipëri? Çfarë është ky biznesmenMe kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai.” – do të pyeste gjatë intervistës Ahmetaj.

Sipas dokumentave që gjenden në regjistrin e pronarëve përfitues të Qendrës Kombëtare të Biznesit, pronarë të kompanisë Geoenix në Hollandë që ka kompaninë koncesionare të inceneratorit Intergrated Energy Bv Spv është kompania italiane  Franco Tosi Meçanica me 40% të aksioneve dhe pronar Alberto Presezzin, ICARE Holding s.a me 40% të kuotave dhe Giuseppe Ciaffaglione me 19.9%. Të tre këta individë kanë blerë aksionet e Geogenix në maj të vitit 2022.

ICARE Holding s.a është një shoqëri me bazë në Zvicër me pronar francezin Max Abitbol. Firma është themeluar në vitin 2011 dhe ka mbajtur emrin JMG Investment, por është përthithur nga grupi Icare Holding në vitin 2018.

Në 4 tetor të vitit 2022, Icare Holding ka hapur në Shqipëri  degën Icare Energji. Sipas dokumentave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania drejtohet nga bordi i përbërë nga 3 persona: Max Abitbol, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz dhe administratore Marigona Metaj.

Me përjashtim të francezit Abitbol, emrat e tjerë janë të njohur në Shqipëri për lidhje të hershme me biznese në sektorin e hidrokarbureve të cilat kanë shfrytëzuar për disa vjet rafinerinë e naftës ARMO. Blerim Hoxha rezulton adminitrator i kompanisë Tosk Energji në vitin 2018, e cila kishte marrë  mbështetjen e grupit Gunvor Oil dhe ka operuar si një qiramarrës i firmës Byllis Energji që kishte marrë të drejtën e qirasë për uzinën e përpunimit të naftës në Ballsh nga një kompani offshore Allum Enterprises. Allum kishte përfituar asetet përmes një kontrate me bankën Credins e cila kishte pronësinë për shkak të kredive të pashlyera të ARMO-s. Në mes të marrëveshjes me Tosk Energji dhe Gunvor rezulton një kompani zviceriane me CDF Conseils Sarl dhe përfaqësues Christophe Darbord, ky i fundit bashkë me Blerim Hoxhën rezultojnë përfaqësues të ICARE që ka 40% të inceneratorit të Tiranës.

Gunvor në ato vite zotërohej nga Torbjorn Tornqvist dhe rusin Gennady Timchenko. Ky i fundit rezulton në listën e personave të ndaluar nga departamenti i Thesarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gunvor ka kredituar me 1.9 miliard lekë aktivitetin e Tosk Energji në Shqipëri.

Në fund fare Toks Energji tërhiqet nga Shqipëria dhe lë miliona euro detyrime, përfshirë këtu dhe pagat e punëtorëve të cilat i dha buxheti i shtetit. Banka Credins shet për 9 milion euro për skrap rafinerinë te kompania Shijaku shpk, e cila është e lidhur me një biznesmen të fuqishëm në fushën e importit të naftës.

Po dhe pse Arben Ahmetaj bëri këtë lidhje. Kompania zviceriane ICARE e konsideroi si të pavërtetë dhe lajmëroi se çështja do të ndiqet në gjykatë.

“Në maj 2022, lcare Holding SA u mandatua nga GeoGenix BV me qëllim ndërtimin e një inceneratori në Tiranë me kushtin që Icare Holding SA të sigurojë financimin e veprës. Financimi i impiantit nuk pati sukses dhe për këtë arsye Icare Holding SA doli nga projekti në nëntor 2023. Zbulojmë me habi të madhe informacione të rreme për Icare Group dhe zotin Blerim Hoxha në disa lajme shqiptare. Ne rezervojmë të gjitha të drejtat tona në gjykatat civile dhe penale kundër informacioneve të rreme që cenojnë reputacionin e lcare Group dhe z. Blerim Hoxha. Ne posaçërisht rezervojmë të drejtat tona ndaj z. Arben Ahmetaj, shtetas shqiptar me banim në Zvicër, para gjykatave zvicerane.” ka deklaruar presidenti i “Icare Group” Max Abitbol.

“Ata e kanë mohuar kur është arrestuar një 29-vjeçar i cili është CEO i Etos Asset Managment Group, institucioni financiar që kishte nënshkruar me Litëin Group, një kompani në pronësi të ICARE për të ndërtuar inceneratorin në vlerën 100 milion euro, që do t’i merrnin borxh nga ky institucion financiar.” shpjegon Këlliçi.

Ahmetaj bëri thirrje për të zbuluar dhe 20% të tjera të aksioneve të tjera të regjistruara në offshore, të cilat rezultojnë në emër të italianit Giusseppe Ciaffaglione.  I pyetur përmes një letër porosie, një nga pronarët që sot është në kërkim nga SPAK ka deklaruar se nuk ka ditur se si merreshin vendimet në firmën mëmë në Hollandë Geogenix, duke pranuar rolin e tij si pronar fiktiv.

“Nuk kam paguar asnjë shumë monetare për përfitimin e këtyre kuotave, por më janë dhënë për shkak të kapaciteteve teknike që zotëroj dhe se nevojitesha për projektin. Nuk kam dijeni si merreshin vendimet në shoqërinë hollandeze. Kam qënë i punësuar deri në vitin 2017 te shoqëria ‘Energy Recuperator’ për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Më pas, në gusht 2017 më ka mbaruar kontrata dhe kam lidhur kontratë me kompaninë shqiptare të Klodian Zotos. Të gjitha detyrimet për strehimin, qiratë dhe nevojat e mia i ka mbuluar Klodian Zoto.” ka thënë Giusseppe Ciaffaglione

Sipas asaj që thuhet në dosjen hetimore të inceneratorit të Tiranës edhe Alberto Presezzi ka mohuar të jetë pronar i kompanisë mëmë të koncesionarit.

“Jam president i kompanive ‘Bruno Presezzi’ dhe ‘Franco Tosi Meçanica’ dhe aksioner ‘i fjetur’ i shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’ (ish-‘Integrated Energy’), bërë nëpërmjet marrëveshjes mes shoqërisë ‘Franco Tosi Meçanica’, ‘ICARE Holding’ dhe shtetasit Giusseppe Ciaffaglione më datë 6 prill 2022. Përfshirja ime dhe e aksionerit tjetër ‘ICARE’ ishte me kusht pasi këto dy shoqëri të gjenin 100 milion euro që duheshin për të ndërtuar inceneratorin e Tiranës. Pasi të sigurohej financimi, atëherë do të aktvizoheshim si aksionerë të shoqërisë hollandeze ‘Geogenix B.V’. Nuk kam dijeni se çfarë ndodh me menaxhimin dhe kontrollin financiar të ‘Geogenix B.V’, pasi nuk kemi arritur akoma të gjejmë financimin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Kam njohur gjatë vitit 2022 shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri përmes Giusseppe Ciaffagliones. I kam takuar shumë herë gjatë vitit 2022 dhe për inceneratorin e Tiranës kam diskutuar me shtetasin Mirel Mërtiri. Mërtiri kishte një peshë të madhe në shoqërinë ‘Integrated Energy B.v S.p.v’, pasi merrej me anën teknike dhe bisedonte me të gjithë furnizuesit..” ka deklaruar përpara autoriteteve italiane për llogari të SPAK, Alberto Presezzi.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy