Numri i të vdekurve nga shpërthimi i një tubacioni të shkatërruar nga vjedhësit e karburantit në Meksikën qendrore është rritur ndjeshëm duke arritur në 66 persona, tha të shtunën guvernatori i shtetit të Hidalgo.
Në një konferencë shtypi me presidentin meksikan, Andrés Manuel López Obrador, guvernatori i Hidalgo, Omar Fayad, tha se 76 persona janë plagosur në shpërthimin e së premtes mbrëma, që ndodhi kur njerëzit u përpoqën të mbushnin bidonat e tyre me karburant.
Sipas mediave vendase, në raportet fillestare u tha se 21 persona kishin humbur jetën nga flakët gjatë kohës që banorët vendas po përpiqeshin të vidhnin naftën që po rridhte kur ajo shpërtheu.
Dhjetra njerëz janë dërguar në spitale me djegie, ndërsa pamjet tregojnë flakët në qytetin e Tlahuelilpan, pranë rafinerisë së naftës Tula të premten.
Shkaku i rrjedhjes së naftës është i paqartë, ndërsa presidenti Obrador ka shkuar në vendin e ngjarjes duke parë vetë nga afës situatën e rëndë.
Më herët pasi shpërthyen flakët, guvernatori i shtetit Hidalgo Omar Fayad u bëri thirrje njerëzve nëpërmjet Twitter për të shmangur marrjen e karburantit, duke thënë se ata po e rrezikonin jetën dhe familjet e tyre. "Ajo që ndodhi sot në Tlahuelilpan nuk duhet të përsëritet".
Presidenti Andrés Manuel López Obrador, i cili mori detyrën me një axhendë për luftimin e korrupsionit dhe qetësimin e vendit, urdhëroi goditjen e vjedhjes së karburantit një muaj pas marrjes së detyrës, më 1 dhjetor.
Pemex, ndërmarrja shtetërore e naftës në Meksikë, ka pësuar një sërë incidentesh të tjera në të kaluarën.
Të paktën 37 vetë u vranë në një shpërthim në zyrat qendrore të Meksikës në vitin 2013 dhe 26 persona vdiqën në një tjetër shpërthim në një fabrikë gazi në 2012.



