Një sasi prej 11 mijë eurosh të dyshuara si të falsifikuara janë sekuestruar në Elbasan. Në kuadër të operacionit “Këmbyesit” janë arrestuar tre persona, njëri prej tyre i dënuar më parë për falsifikim monedhash.
Burime policore bëjnë me dije se në pranga janë vënë: Leone (Luan) Duka, 41 vjeç banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.
Agron Rrucaj, 23 vjeç banues në Mamurras Laç dhe me banim të përkohshëm në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim e mbajtje të lëndëve narkotike”.
Nafie Miraka, 19 vjeçe banuese në fshatin Dufshan, Njësia Administrative Pishaj, Gramsh, me banim të përkohshëm në Tiranë.
Arrestimi i tyre, u bë pasi në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në pikën Exchange të shtetasit me iniciale N.K., në qytetin e Gramshit, kanë këmbyer 3 kartëmonedha, me prerje 100 euro secila të cilat dyshohet se janë false.
Menjëherë me marrjen e informacionit, janë organizuar shërbime dhe në afërsi të fshatit Gostimë, është ndaluar mjeti tip Peugeot, me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur. Grupi hetimor, gjatë kontrollit personal, i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 11 000 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Hetimet vazhdojë, për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Falsifikimi i monedhave, i kryer në bashkëpunim”.



