As Gjykata e Apelit në Durrës, nuk ka ndryshuar “masën e sigurisë” dhënë nga Gjykata e Elbasanit për shtetasin turk Faruk Fatih Özer, themeluesin e “Thodex”, i cili akuzohet për “vjedhje me anë të mashtrimit”.
Ai u arrestua në Shqipëri pasi ishte në kërkim për mashtrim kompjuterik.
Përmes avokatit të tij, Faruk Fatih Ozer thotë se nuk është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, as i skeduar në Turqi për aktivitet kriminal. Ai ka kërkuar që të zbutet masa e dënimit, nga dënim me burg në detyrim paraqitjeje.
Por, prokurori i çështjes ka deklaruar në seancë se ndaj tij ka një hetim në shtetin turk dhe se është në kërkim ndërkombëtar për vepra penale, duke argumentuar kështu se nuk mund të ndryshohet masa e sigurisë, duke lënë kështu në fuqi atë të kolegëve të Elbasanit.
Arrestimi i Özer u realizua nga operacionalja e Policisë së Elbasanit.
Raportohej se bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është akuzuar edhe më herët se ka ndihmuar Ozerin që t’i fshihej autoriteteve.
Gjykata e Tiranës asokohe dha masën “arrest shtëpie” për Edevaldo Haxhiun, i cilin mohoi se ka pasur njohje me Ozeri-in.
Në fillim të prillit të këtij viti, mediat turke kishin bërë të ditur se Prokuroria kishte shpallur në kërkim dhe kishte bërë kërkesë për dënim maksimal ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Ozer, i cili dyshohej për mashtrim në kripto.
Sipas tyre Ozer ndodhej në arrati dhe i lirë në Shqipëri.
Faruk Fatih Ozer ishte themeluesi dhe CEO i kompanisë “Thodex”.
Thodex ishte një hapësirë ku përdoruesit mund të ruanin, blinin dhe shisnin kriptovaluta.
Pati pretendime se rreth 2 miliardë dollarë para të investitorëve u humbën. Në atë kohë u arrestuan dhe u ndaluan gjatë hetimeve rreth 62 persona.



