
Maxhoranca nuk ka asnjë lloj mëdyshjeje në lidhje me emrin e Sandër Lleshit për postin e ministrit të Brendshëm. Kryeministri Rama e quan mosdekretimin e tij nga presidenti Meta një shkelje të Kushtetutës dhe shton se e vetmja rrugë është që maxoranca ta bindë kreun e shtetit për emrin e Lleshit.
“Presidenti nuk ka dhënë asnjë arsye po vetëm mosbindjen e tij. Ne nuk duhet të biem në këtë situatë që nuk është e jona. Ne duhet t’i dalim për zot situatës, derisa ta bindim presidentin që është i duhuri. Mosdekretimi është në shkelje të Kushtetutës. S’kemi Gjykatë Kushtetuese dhe ne do të gjejmë mënyra të tjera. Nuk ka asnjë lloj mëdyshjeje për mbështetjen e Lleshit. Ai është i pajisur me Top Cosmic - certifikata më e lartë e sigurisë nga NATO. Këtë lloj certifikate e ka vetëm Lleshi dhe Pandeli Majko”, është shprehur Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku u vendos miratimi me votë i Sandër Lleshit në postin e zëvendësministrit të Brendshëm. Në këtë mënyrë, Lleshi do të ushtrojë kompetencat e ministrit.
Por i menjëhershëm ishet edhe reagimi i Presidencës ku thuhet se Presidenti Meta është i përkushtuar maksimalisht në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.
“Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet. Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes. Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”, thuhet në reagimin e Presidencës.



