Gruaja që regjistroi kryegjyqtarin e Gjirokastrës teksa i kërkonte favore seksuale për të dhënë një vendim në favor të saj, vjen nga një martesë problematike, ku nuk ka munguar dhuna edhe nga ana e saj. Një ballafaqim i saj me ish-të shoqin në zyrat e komisariatit të Gjirokastrës dy vjet më parë është bërë shkak që burri të kërkojë urdhër mbrojtjeje nga gjykata.
Ajo dhe ish-burri ishin paraqitur përballë oficerit Ylli Zaçe, për të zhvilluar një ballafaqim për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në banesë. Mirëpo ky ballafaqim është bërë mollë sherri brenda në komisariat mes dy ish-bashkëshortëve, ku dëshmitar nuk ka qenë vetëm efektivi i policies, por edhe djali i tyre. Nga ky konflikt ish-burri ka dalë me një të çarë në qafë, pasi gruaja i ka vënë duart në fyt dhe i ka thënë “…do të të vras, do të të zhduk…”. Fill pas kësaj, ish-burri ka kërkuar urdhër mbrojtje, gjë e cila është pranuar nga gjykata, raporton sot “Panorama”.



