
New York ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pasi u godit nga reshje të mëdha shiu si pasojë e stuhisë tropikale “Ida”.
Kryebashkiaku, Bill de Blasio tha se qyteti "po përjetonte një ngjarje jo të zakonshme të motit" me "përmbytje brutale" dhe "kushte të rrezikshme" në rrugë.
Pamjet në rrjetet sociale tregonin se si uji vërshonte në stacione dhe shtëpitë e njerëzve.
New Jersey gjithashtu shpalli gjendjen e emergjencës dhe raportoi vdekjen e një personi. Një person u mbyt në Passaic, New Jersey, tha kryebashkiaku lokal, një tornado gjithashtu shkatërroi të paktën nëntë shtëpi në Mullica Hill.
Çatia e një ndërtese postare u shemb në Kearny, New Jersey dhe brenda saj kishte njerëz, tha policia.
“Ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje, por nuk është e qartë se sa të lënduar mund të ketë.”



