“Krishterimi ndodhet nën sulm në Jerusalem”. Kështu tha të martën mbreti i Jordanisë, Abdullah, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York përpara takimit të tij me kryeministrin izraelit Yair Lapid.
Të drejtat e kishave në Jeruzalem janë të kërcënuara. Krishterimi në qytetin e shenjtë është nën zjarr dhe kjo nuk mund të vazhdojë.
Abdullahu, si kreu i Mbretërisë Hashemite, konsiderohet si kujdestari i vendeve të shenjta myslimane dhe të krishtera.
Si kujdestarë të vendeve të shenjta myslimane dhe të krishtera të Jerusalemit, ne jemi të përkushtuar të mbrojmë status quo-në historike dhe ligjore, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat, trashëgiminë e çmuar dhe identitetin historik të popullit të krishterë të rajonit tonë. Askund nuk është më e rëndësishme se në Jerusalem.
E ardhmja e Jerusalemit përbën një shqetësim urgjent. Qyteti është i shenjtë për miliarda myslimanë, të krishterë dhe hebrenj në mbarë botën.
Minimi i status quo-së ligjore dhe historike të Jerusalemit shkakton tensione globale dhe thellon ndarjet fetare. Qyteti i shenjtë nuk duhet të jetë një vend për urrejtje dhe përçarje.



