Zyra për shtyp e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka dalë me një deklaratë të shkurtër mbi takimin në Shkodër të Isa Mustafës dhe kryeministrit të Republikës së Malit të Zi, Dushko Markoviç.
Ne deklaratë takimi mes dy kryeministrave cilësohet si miqësor.
Megjithëse çështja më e nxehtë mes dy vendeve mbetet demarkacioni, që po penalizon në një farë mënyrë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën, në njoftim nuk ka asnjë fjalë për këtë temë.
“Gjatë takimit miqësor, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, dy kryeministrat biseduan për çëshjet që lidhen me bashkëpunimin bilateral si dhe u pajtuan për intensifikimin e përgjithshëm, sidomos të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve”.
Në vijim thuhet se kryeministri Mustafa dhe kryeministri Markoviç biseduan edhe për zhvillimet tjera aktuale në rajon.



