Rreth gjashtë milionë maska për fytyrën që do ndihmonin punonjësit e shëndetit në Gjermani në luftën kundër koronavirusit, janë zhdukur në një aeroport në Kenia.
Autoritetet gjermane të doganave po përpiqen të zbulojnë rrethanat e zhdukjes së tyre.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, tha se autoritetet po përpiqen të zbulojnë se çfarë ndodhi atje.
Maskat FFP2, të cilat filtrojnë më shumë se 90% të ajrit, u porositën nga autoritetet doganore gjermane.
Ata, së bashku me forcat e armatosura kanë ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë të sigurojë menjëherë mjetet mbrojtëse.
Porosia do të vinte më 20 mars në Gjermani, por ajo kurrë nuk mbërriti, pasi u zhduk në fund të javës së kaluar në një aeroport në Kenia.
“Çfarë realisht ka ndodhur, pavarësisht nëse është një vjedhje apo kompania nuk është një ofrues serioz, është duke u sqaruar nga autoritetet doganore”, tha një burim qeveritar për Spiegel Online.
Ministria e Shëndetësisë në Kenia nuk ka pranuar të flasë, ndërsa një zëdhënës i aeroportit deklaroi se kompania po heton në lidhje me ngjarjen.



