
Në një mesazh urimi për Ditën e Fitores së Bashkimit Sovjetik kundër nazizmit, lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-Un, i shprehu Vladimir Putinit “solidaritetin” e Koresë së Veriut me Rusinë.
Sipas njoftimit të agjencisë KCNA, në letrën e dërguar më 9 maj, Kim shpreh mbështetjen e tij të vendosur “për kauzën e popullit rus kundër kërcënimit politik dhe ushtarak dhe shantazhit të forcave armiqësore”.
Për më tepër, lideri i Koresë së Veriut, i cili kohët e fundit riafirmoi lidhjet e ngushta me Rusinë dhe mbështeti publikisht ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, tha se ishte i bindur se marrëdhëniet strategjike dhe tradicionale të miqësisë midis dy vendeve do të zhvillohen në një mënyrë të qëndrueshme.
Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, Kim vuri në dukje shkakun e konfliktit në “politikën hegjemoniste” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit.



