
Nis procesi i vetingut për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, i cili i mbijetoi një atentati në autostradën Durrës-Tiranë, në nëntor të vitit 2019.
Nga atentati prokurori mbeti i plagosur, ashtu si dhe Aleksandër Laho, i njohur ndryshe edhe si Pëllumb Muharremi, ndërsa shoferi i Ndojës, Andi Maloku humbi jetën në spital.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nga verifikimet e kryera, ka konstatuar papërshtatshmëri të figurës së Ndojës, si dhe dyshime se ka favorizuar persona me precedentë penal.
Në vitin 2009 dhe 2010 ka rezultuar se ka patur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt prone.
Po ashtu referuar atentatit të 1 nëntorit 2019, ku dhe mbeti i plagosur, në gjetjet e DSIK, thuhet se ka qenë në shoqërinë e Aleksandër Lahos, i cili cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas Opinionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho kanë qenë duke drekuar me A.Sh., dhe një person tjetër.
Gjatë marrjes në pyetje Ndoja ka deklaruar se ka patur marrëdhënie shoqërore me Lahon, në kohën kur ka qenë avokat.
Ndërkohë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gjetjet e tij është shprehur se ka të dhëna se Aleksandër Laho, është i përfshirë në krim të organizuar jashtë Shqipërisë.
E.Sh., ka udhëtuar disa herë me Ndojën. Në datën e atentatit Ndoja ka drekuar me E.Sh. Sipas Ndojës E.Sh., është ndërtues në Durrës. Për këtë person SPAK nuk ka nisur hetim, por janë disa procedime penale.
Në lidhje me vëllezërit V.K., B.K., dhe A.K., Ndoja ka udhëtar në vitin 2013 në një makinë në pronësi të V.K., ndërsa B.K., ka udhëtuar me dy makina në pronësi të Ndojës.
Për A.K., SPAK ka nisur hetime dhe i janë sekustruar pasuritë dhe familjarëve të tij. Në Lezhë ka nisur procedim penal për B.K., dhe në 2017 janë pushuar hetimet. A.K., është akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje në Itali. Ndoja ka përdorur dy makina të një personi, me inicialet D.S., ndaj të cilit ka tre procedime. Me M.V., rezultojnë shokë shkolle në Krujë.
M.V., ka udhëtuar disa herë me Ndojën, por ndaj tij SPAK nuk ka nisur hetime. Nga Prokuroria Durrës, rezultoi se në vitin 2014 ka patur hetim por janë pushuar dhe dy procedime të tjera në vitin 2018 që ky person është dënuar për plagosje të rëndë.
Avokati Ilia Ilia ka deklaruar se është dhunuar nga M.V., me urdhër të Arjan Ndojës.



