Një çështje e pazakontë do të shqyrtohet nga Gjykata e Milanos. Një qytetar italian ka hedhur në gjyq Komunën e Milanos dhe rajonin e Lombardisë për dëmet që pretendon se i ka shkaktuar në shëndet ajri i ndotur. Me padinë me të cilën pretendon të dëmshpërblehet nëse fiton gjyqin, qytetari në fjalë ankohet se është sëmurë me "bronkit akut, acarim të syve dhe mukozës së hundës dhe faringut. "për shkak të niveleve të ndotjes që janë shumë më të larta se ato të përcaktuara nga legjislacioni "për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve".
Çështja ka bërë një “xhiro” nëpër institucionet e drejtësisë italiane para se të përfundojë në Gjykatën e Kasacionit. Kjo e fundit e ka cilësuar si një çështje të pastër juridiksioni, duke qenë se veprimi juridik i nisur nga shtetasi kishte kaluar tashmë nga një gjyqtar civil dhe më pas, me vendim të Gjykatës së Milanos, ishte kthyer në Gjykatën Administrative Rajonale të Lombardisë.
Gjykata Administrative e cila nga ana e saj në maj të vitit të kaluar e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë, për të vendosur se e kujt ishte kompetenca. Në themel të “kërkesës”, shkruan Kasacioni, “qëndron një pretendim që bazohet në mbrojtjen e një të drejte themelore – pikërisht të shëndetit – e cila, duke mos toleruar shkeljet as nga autoritetet publike, ruan gjithmonë natyrën e saj si një e drejtë subjektive, e padegradueshme në interes të ligjshëm, me pasojë kalimin e çështjes në juridiksionin e gjyqtarit të shkallës së parë”. Në ankesën e tij, i mbrojturi nga avokati Giampiero Amorelli, ndër të tjera kishte theksuar se “gjendja e tij shëndetësore përmirësohej gjatë fundjavës, kohë që zakonisht e kalonte në plazh” dhe se kjo e detyroi që “në një farë pikë të linte qytetin e Milanos dhe të transferohej në Genoa".



