
Nga Andrew Brown
Demokratët Suedezë në pamje të parë duket si të gjitha partitë e tjera populiste antiemigrante që janë përhapur në Europë gjatë dekadës së fundit. Me programin e tyre ksenofob dhe nacionalizmin kulturor, ata thuhet se janë partia e preferuar e Steve Banonit, (praktikisht si në vitet ’50 por me celularë në duar), siç është shprehur një prej themeluesve.
Nga ekstremi i djathtë, ata janë ngritur në një pozicion nga i cili e kanë trazuar plotësisht bllokun tradicional të politikës suedeze, e cila që në vitin 1976 bazohej në garën mes socialdemokratëve dhe grupimit prej 3-4 partish josocialiste. Asnjë prej partive tradicionale nuk do të bashkëpunojë me ta, por asnjë grupim nuk formon dot maxhorancë qeverisëse pa ta.
Megjithatë, nga një këndvështrim më i afërt, ata janë një fenomen tipik suedez. Në Danimarkë, Norvegji dhe Finlandë, partitë që kanë të njëjtin qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve janë pranuar në aleanca qeverisëse dhe kanë qenë pjesë e rrugëtimit normal politik. Partitë tradicionale në Suedi, pavarësisht se kanë adoptuar shumë politika të demokratëve që nga kthesa e madhe e vitit 2015 për emigracionin, thjesht kanë refuzuar ta njohin ekzistencën e kësaj partie.
Politologu Olof Petersson thotë se një nga tiparet dalluese të kulturës politike suedeze është se ajo është njëkohësisht më autoritare dhe më demokratike se norma evropiane: në modelin suedez, autoriteti konsultohet gjerësisht, por i bindet kur merr vendim. Ka gjithmonë konsensus të elitës në majën e shoqërisë suedeze dhe në çdo kohë një sferë shumë të ngushtë të pikëpamjeve të pranueshme, por këto mund të ndryshojnë papritur, siç ndodhi me qëndrimet ndaj politikat e vjetra të mirëqenies pas një krize ekonomike në vitet 1990 ose qëndrimin ndaj refugjatëve në vitin 2015. Vendimi në vitin 1994 për t'u bashkuar me BE u pasua nga një tjetër pendesë e krerëve të Partisë Social Demokrate, e cila njoftoi shpejt dhe në mënyrë efektive anëtarësimin e padëshiruar.
Pengesa kryesore e të gjitha sistemeve autoritare është fakti se njerëzit që drejtojnë dëgjojnë vetëm atë që duan të dëgjojnë dhe gradualisht e humbin kontaktin me atë që ndodh në realitet. Ajo që e pengoi këtë gjë në Suedi për pjesën më të madhe të shekullit XX ishte anëtarësimi në masë në parti politike, në një shkallë të tillë që në Britani aq nuk mund të imagjinohej. Në vitin 1993, rreth 25% e popullsisë u anëtarësua në parti politike. Më shumë se 1 milion njerëz nga një popullsi prej 8 milionësh u bënë anëtarë të Partisë Socialdemokrate.
Në atë kohë, partitë funksiononin siç funksionon media sociale sot: njerëzit mblidheshin për t’u takuar, veçanërisht në vend. Dhe për shkak se ata ishin të përfshirë në jetën e përditshme, drejtuesit e partisë kishin ide të qarta në lidhje me atë që tregonin njerëzit e thjeshtë. Por që atëherë, anëtarësimi ka rënë dukshëm. Rreth gjysma e anëtarësisë të Social Demokratëve u zhdukën me heqjen e anëtarësisë kolektive përmes sindikatave. Deri në vitin 2010 partia kishte vetëm 109 000 anëtarë. Nuk kishte më asnjë mekanizëm me të cilin udhëheqjes në Stokholm t’i thuheshin gjërat që nuk donte t’i dëgjonte.
Pikërisht në këtë moment boshllëku lulëzoi partia Demokratët Suedezë. Fillimisht një sekt neonazist, drejtimi i të cilit u mor nga katër studentë të politikës, ajo fillimisht u pastrua dhe më pas u bë e vetmja parti që doli publikisht kundër konsensusit për emigrantët. Partitë e mëdha u përpoqën për vite me radhë t’i injoronin tërësisht.
Në vitin 2010, para se të hynin në Parlament, pakkush e besonte se do të merrnin votat e mjaftueshme. Por që prej atëherë, ata janë bërë partia e tretë dhe shumë shpejt mund të renditen të dytët.
Por Demokratët Suedezë mbetet ende një parti rob e autoritarizmit nga i cili përfitoi për t’u rritur. Ndryshe nga lëvizjet e vërteta fashiste, ajo nuk ka plan koherent për të riformuar shtetin dhe as pikëpamje mbi kapitalizmin. Ata thjesht besojnë se sistemi i duhur po drejtohet nga njerëzit e gabuar. Në këtë kuptim, ajo tashmë është pjesë e jetës politike suedeze, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. / The Guardian /



