
Ngjarjet e ditëve të fundit kanë qenë tema kryesore e një komunikimi të kreut të opozitës me mediat sot në mesditë. Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, ripërsëriti akuzat ndaj qeverisë për lidhje me krimin.
“Në kohën e Tahirit, drogën e kontrollonin Habilajt. Tani Xhafa kontrollon 100% të detit. Klani Xhafaj-Murataj mbajnë prokurorë në listën e pagesave. Janë politikanë dhe prokurorë në listën e pagesave të vëllezërve Murataj. Ngjarja tronditëse e zbuluar nga nënkomisari Nuhu është vetëm maja e ajsbergut. Por më tronditëse është shpërfytyrimi i viktimës, që pështyn mbrojtësit dhe përqafon përdhunuesit. Kruja dhe Fushë-Kruja janë zona krimi, ku qeveria nuk ka kontroll”, tha ai.
Duke u ndalur në vrasjen e 4 tetorit në një nga lokalet e Bllokut, Basha tha se shkak janë bërë pazaret e drogës. Sipas Bashës, një ngjarje e tillë në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit tregon pasigurinë e lartë në të cilën ndodhet vendi.
“Ngjarja e fundit për pazare droge, ku janë përfshirë trafikantë. E dini me kë ishte Tahiri në Gjermani? Me këtë Matën e përfshirë në sherrin në Bllok. Kjo ndodh në zemër të Tiranës, te Blloku, një zonë që njihet si zonë për frekuentim social, ku rrinë bashkë banditë dhe politikanë. Në atë zonë kanë ndodhur në këto 4 vite vrasjet më mafioze. Kjo tregon se në Shqipëri nuk je i sigurt në asnjë vend. Kjo ndodh sepse kriminelët dhe vrasësit më të rrezikshëm të Ballkanit janë të lirë. Këtu sillen si sipërmarrës, madje edhe si deputetë në rastin e rrahman Rrahjës. Hapin biznese dhe kapardisen me kobure në mes të Tiranës. Askush nuk i prek sepse dhuna e shtetit është rezervuar për shitësit ambulantë të Tiranës. Arsyeja kryesore pse kemi mbërritur deri këtu është se trafiku i drogës dhe pastrimi i parave të saj janë aktiviteti kryesor”, tha ai.



