
Vizitën e kryeministrit grek në Himarë, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e sheh si tregues se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi. Milo tha se vizita e Mitsotakis nuk është gjë tjetër veçse mbajtja e një premtimi të dhënë disa muaj më parë, ndërsa vizita të kësaj natyre, që zhvendosen nga kryeqyteti, duhet të bëhen të zakonshme, duke i shërbyer në këtë mënyrë përcjelljes së mesazheve të përbashkëta.
Nuk më bëri përshtypje të veçantë veç kënaqësisë që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi kanë hyrë në një fazë të re zhvillimi. Është në interesin e të dy popujve që këto marrëdhënie të zhvillohen. Edhe vizita e kryeministrit grek, e dyta brenda muajit, nuk kemi ndonjë gjë të veçantë veç zbatimi i një premtimi të dhënë disa muaj më parë. Ai mund të shkonte dhe në Shkodër apo Kukës. Është vizitë e bërë në një vend me pëlqim të dy qeverive. Nuk mund t’i imponosh mikut se ku do të shkojë. Me Greqinë na lidhin shumë gjëra, kemi minoritet grek në Shqipëri. Çështjet zgjidhen duke u takuar, jo duke u izoluar. Çështja e detit pritet të shkojë në Hagë dhe vendimi që merret atje i jep zgjidhje këtij problemi prej vitesh.
Nuk pashë ndonjë gjë të jashtëzakonshme veç ndjenjës së respektit. Nuk shoh më shumë. Mirë është që mesazhe të tilla të përbashkëta të jepen shpesh. Është mirë që në vizita të tilla të mos rrinë vetëm në Tiranë, por të lëvizin nëpër Shqipëri.
Ndërsa sa i takon çështjes së pronës, Milo tha se ligji 7501 ka sjellë probleme për të gjithë.
Çështje e vjetër në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Qytetarët shqiptarë kanë pronat që u janë marrë në bazë të ligjit, qoftë me 7501, që në Himarë ka krijuar probleme. Është një ligj i gabuar. Zbatimi i tij ka sjellë shumë probleme në Shqipëri. Ka qenë gabim mënyra si u miratua ligji dhe si u zbatua. Nuk kërkojnë gjë tjetër veçse pronën e tyre.
Në lidhje me çështjen e detit, Milo tha se palët janë afër kompromisit.
Kryeministri shqiptar duhet të zbatojë Kushtetutën. Me pak fjalë, zbatimi i Kushtetutës është alfa dhe omega për një qeveri. Qeveria e Ramës ka marrë përsipër ta bëjë dhe ka rënë dakord ta çojë çështjen për gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë. Jemi në një moment që duket se është afër përmbylljes së çështjes së delimitimit të ujërave detare. Pra palët janë afër kompromisit për t’iu drejtuar gjykatës në Hagë. Besoj dhe uroj që institucionet kushtetuese, presidenti dhe qeveria, të bashkëpunojnë sa më ngushtë me njëri-tjetrin dhe kur të bëhet vendimi të kenë një qëndrim të përbashkët zyrtar.



