Situata nga Covid-19, në tërë botën ka shkaktuar rritje enorme të të infektuarve. Një rritje e tillë është shënuar edhe në Britaninë e Madhe, nga ku, përmes Skype, mjeku Leidon Shapo, thotë se me gjithë rritjen e numrit të testimeve në Britani, mbetet shqetësues fakti se virusi ka ndryshuar “lëkurë”, sidomos pas hapjes së shkollave, bareve e institucioneve.
“Vala e dytë e virusit e zëmë se është, sepse tashmë pamë se numri i infeksionev është më i lartë, po ndoshta se në rast se në fazën e parë nuk e njohëm aq shumë si virus, tani dimë më shumë se ky virus ka ndryshuar lëkurë në raport me njerëzit. Këto janë ndryshime të kodit gjenetik dhe janë mënyra të përhapjes së virusit. Dimë më shumë, por duke qenë se krijuam hapje, edhe shkollat, pubet, punët që u rihapën, problemi është se ky është një virus tinzar sepse deri tani kemi arritur në një mënyrë se nga të gjitha këto na solli këto nivele të hapura”.
Mjeku Shapo ka një mendim edhe për riinfektimet, që sipas tij, karakterizohen nga po aq të panjohura.
“Riinfektimet janë po aq të panjohura dhe po vazhdojnë kërkimet, siç janë edhe imuniteti mbajtës, si p.sh. rasti i një të riu nga Nevada, te i cili u zbuluan si riinfektime të reja. Me këtë nuk mund të jemi më të sigurt se mund të kemi imunitet mbajtës. Kjo është një problematikë, që duket se do të na ndjekë”.
Shapo tha se bazuar në protokollin e sistemit shëndetësor anglez, mjekët atje po aplikojnë metodat e testit “hap pas hapi”, duke ndjekur mënyrën që personat me pak simptoma të ndiqen në rast përshkallëzimi të situatës deri në shtrimin në spital.



