Nata e ndërrimit të viteve në botë, erdhi përmes fishekzjarreve madhështore në qendrat kryesore të botës, duke simbolizuar kështu nisjen e një dekade të re.
Evropa, Lindja e Mesme dhe Azia kanë ndjekur Australinë dhe Zelandën e Re në mirëseardhjen e tyre në vitin 2020.
Ekspozitat e fishekzjarreve ndezën qiellin ndërsa vendet festuan fillimin e dekadës së re.
Shfaqja në Sidnej të Australisë ishte madhështore si zakonisht. Fishekzjarret shpërthyen mbi urën Harbour dhe Shtëpinë e Operas, përkundër thirrjeve për të anulluar shfaqjen e saj për shkak të krizës së vazhdueshme të zjarreve në këtë vend.
Festime madhështore pati në Singapor, Malajzi, Indi e Pakistan, si dhe në dy Koretë. Pas një ditë të lodhshme me protesta, edhe qytetarët e Hong Kongut gjetën kohë të festonin.
Spektakli i fishekzjarrëve vazhdoi më pas në Lindjen e Mesme, me Dubain si epiqendër, ndërsa Stambolli e Athina gjithashtu u ndriçuan prej tyre.
Qytetarët në Paris e pritën e vitin e ri pranë Harkut te Triumfit dhe kullës Ejfel, miliona turistë kishin zgjedhur kryeqytetin francez për të pritur vitin e ri.
Në Berlin, qindra mijëra gjermanë ndoqën festimet në Portat e Brandenburgut, ndërsa Londra magjepsi me ngjyrat e fishekzjarreve dhe një spektakël që kujtonte rolin kryesor të qytetit në Kampionatin Evropian të Futbollit që zhvillohet këtë vit.



