Një operacion anti-drogë është zhvilluar në Tiranë, ku janë lëshuar 24 urdhër arreste dhe është sekuestruar mbi 1 kg kokainë.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Tonin Vocaj tha në një deklaratë për mediat se të arrestuarit shpërndanin kokainë, heroinë dhe kanabis në afërsi të shkollave dhe në lokale nate.

Gjykata ka caktuar "Arrest me burg" për 19 persona, ndërsa vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Mes të arrestuarve janë Armando Xheladini, alias Jetnor Cenallari, Armando Tarushllari i prangosur në maj të këtij viti për vrasje me dashje për një vrasje të ndodhur në Greqi.
Mes të tjerash në deklaratë thuhet:
Pas një hetimi tremujor të kryer me metoda speciale të hetimit nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të 24 shtetasve.
Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit “Tempulli 3”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për 19 shtetas, si dhe vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të cilët ndiqen me masa kërkimi.
Gjatë operacionit u arrestuan 19 shtetas ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, konkretisht:
K. H., 26 vjeç, D. K., 39 vjeç, O. V., 21 vjeç, H. F., 20 vjeç, F. Gj., 32 vjeç, V. Xh., 42 vjeç, A. Xh., 52 vjeç, O. I., 62 vjeç, L. K., 26 vjeç, M. K., 32 vjeç, K. H., 24 vjeç, R. M., 25 vjeç, M. S., 18 vjeç, R. Sh., 33 vjeç, D. G., 21 vjeç, R. D. (S.), 52 vjeçe, E. B., 37 vjeçe, A. Sh., 33 vjeç, B. K., 34 vjeçe (arrestuar më parë gjatë zhvillimit të hetimeve).
Midis personave për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur masë sigurie, është dhe shtetasi A. Xh., alias A. T., alias J. C., 52 vjeç, banues në Tiranë, i cili është arrestuar në muajin maj të këtij viti, për veprën penale "Vrasja me dashje", kryer në bashkëpunim, për një ngjarje të ndodhur në shtetin grek.
Giithashtu po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e 5 shtetasve të tjerë.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: ➢ 1.2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë; ➢ qindra doza të lëndëve të dyshuara narkotike heroinë dhe kanabis; ➢ 12 celularë; ➢ 5 automjete; ➢ shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe valuta të tjera, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike, afër shkollave, dhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga të rinjtë, në zona të ndryshme të Tiranës.



