
Deputeti socialist Arben Pëllumbi, pjesë e komisionit hetimor për inceneratorët, thotë se komisioni i ngritur nuk është Prokurori.
Nuk hetojmë realizimin e kontratave, termat se si janë realizuar mes kompanive me njëra tjetrën. Të kesh konflikt interesi do të thotë të kesh konflikt personal, zonja Felaj nuk kishte asnjë konflikt.
Lidhur me deklaratën e Presidentit Ilir Meta, se në krye të aferës së inceneratorëve qëndron Këshilli i Ministrave, ai tha se nuk komenton deklaratat e askujt.
Deputeti socialist tha se ndodhet në konflikt politik pasi ka votuar për shkarkimin e Presidentit, që sipas tij, është i shkarkuar deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet.
Gjithë procedura e bërë për tre inceneratorët, ka lindur për shkak të një emergjence shumë të madhe që ne kishim në raport me mbetjet.
Se si janë administruar kontratat dhe marrëveshjet, për këto është Prokuroria duke zhvilluar një hetim. Komisioni hetimor brenda kuadrit që i njeh ligji, duhet të shoh ë procedurat dhe të japë rekomandime, por hetimin e bën Prokuroria. Kemi bërë përmirësime ligjore qoftë për koncensionet, qoftë për kontratat private. Nuk është më oferta e pakërkuar, me përjashtim të porteve dhe aeroporteve, por në të gjitha rastet e tjera ne këtë procedurë e kemi hequr nga ligji për koncensionet.
Lidhur me landfillin e Tiranës, ai tha se deri në vitin 2018 ka pasur pastrim të qytetit dhe hedhje në shesh, ndërsa tani po bëhet edhe menaxhimi i integruar i mbetjeve, hiqen ato që janë për riciklim nga mbetjet, pjesët e ngurta hidhen në landfill, ndërsa pjesa tjetër do të kalojnë në incenerim.
Sot nuk kemi as në Fier, as në Elbasan dhe as në Tiranë, situata emergjence të mbetjeve. Incenerimi do të thotë që të mos kesh nevojë për vend të madh depozitimi si dhe të prodhosh energji elektrike.



