Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Athinë, ku një çift shqiptarësh u bënë objektiv i një atentati me armë zjarri.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Messolongiou”, ku një person me motoçikletë ka qëlluar në drejtim të çiftit në makinë.
Për pasojë, bashkëshorti 32-vjeçar është vrarë, ndërsa e shoqja, 32-vjeçare, është plagosur.
Mësohet se viktima është Roan Brahimi, ndërsa e plagosur është Katerina Beqo.
Kush është 32-vjeçari i ekzekutuar në Athinë dhe lidhja me grupet kriminale në Shqipëri
Roan Brahimi, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e sotme në Athinë është emër i njohur për policinë në Shqipëri, ku është shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Lezhë dhe në Laç. Ai njihet si armiku i Ervis Martinajt. Roan Brahimi, i njohur ndryshe si Sidorel Prendi është i dyshuari kryesor i masakrës së Milotit, ku pas një breshërie me armë mbeti viktimë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli (Brahja) Brahimi, krahu i djathtë i Ervis Martinajt. Në vitin 2021 ai u shpall në kërkim nga policia, pasi së bashku me dy persona të tjerë shkaktuan terror në një lokal në Zejmen të Lezhës. Si autorë të së njëjtës ngjarje, janë shpallur në kërkim edhe nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Ramazan Rraja dhe Alesio Dobrozi.


