Agjencia Ndërkombëtare Ekonomike Moodys në vlerësimin e radhës të ekonomisë shqiptare ka vënë në dukje se vendi ynë vijon të ketë shumë probleme në fushën e sundimit të ligjit dhe frenimin e korrupsionit. Duke e vlerësuar në nivelin B1 ekonominë shqiptare, raporti ndalet edhe në situatën aktuale të shkaktuar prej pandemisë dhe Partneritetit Publik-Privat, duke e vënë theksin te rritja e pakontrolluar e borxhit publik, si pasojë e kontratave koncesionare.
Profili i kredisë në Shqipëri (vlerësimi i emetuesit B1) është i kufizuar nga forca ekonomike, duke marrë parasysh barrën e lartë të borxhit publik dhe detyrimet e mundshme që rrjedhin nga sektori i energjisë dhe nga një besim i shtuar në financimin e bilancit jashtë bilancit, në formën e Partneriteteve Publike Publike (PPP) për investime në shkallë; dhe ndjeshmëria e tij "BA" ndaj rrezikut të ngjarjes, e nxitur nga rreziku i sektorit bankar për shkak të shkallës së lartë të euroizimit dhe cilësisë së dobët të aktiveve të sektorit.
Por, Ministria e Financave ka një interpretim krejtësisht të ndryshëm nga çfarë shkruhet në faqen e agjencisë, duke folur për stabilitet financiar.
Plotësimi më i fundit, që Moody’s i bën vlerësimit të Shqipërisë, ruan të pandryshuar renditjen e Shqipërisë në B1, pas emetimit të suksesshëm të Eurobondit në muajin Qershor të këtij viti.Vlerësimi i qëndrueshëm, thekson me pozitivitet dhe me renditjen më të lartë ndër indikatorët, ecurinë e institucioneve dhe qeverisjen e vendit.
Lidhur me këtë raport ka reaguar edhe opozita e bashkuar, ku Jorida Tabaku thekson se institucionet ndërkombëtare kanë vënë gishtin në plagët e ekonomisë shqiptare.
Ashtu si raportet e tjera ekonomike nga FMN tek OECD flasin për një kalbëzim të qeverisë nga korrupsioni. Moneyval flet për pastrimin e parave dhe e ka klasifikuar Shqipërinë në listën gri, Banka Botërore dhe BERZH raportojnë për një krizë të thellë ekonomike dhe recesion me 9% rënie. Në vend që të pranojë dështimin dhe të marrë masa për të ndihmuar njerëzit dhe ekonominë qeveria vazhdon avazin: vjedh dhe gënjen. Gënjeshtrat e përditshme dhe propaganda nuk e shndërrojnë të zezën në të bardhë. Ndryshimi është i pandalshëm.
Tabaku thotë se për shqptarët dhe biznesin do të vijnë kohë më të mira e se grabitësit e ekonomisë do të marrin përgjigjen e merituar.



