Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa qarqe të vendit tonë si Korçën, Vlorën dhe Kukësin. Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV prefektët e Korçës dhe Vlorës si dhe kryetari i Këshillit të qarkut Kukës bënë me dije se në të gjitha rrugët nacionale qarkullimi vijon normalisht. Ndërkaq ka pasur probleme me energjinë elektrike në disa zona të qarkut Korçë dhe Kukës.
Prefekti i qarkut Korçë Dhori Spirollari, duke folur mbi situatën në Juglindje të vendit u shpreh:
Ka pasur reshje të dendura dëbore që kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Në saj të punës së firmave kontraktore rrugët nacionale janë të hapura. Situata është krejt normale, ka probleme në rrugët lokale që varen nga bashkitë. Problem që realisht ndeshemi është mungesa e energjisë elektrike. Leskoviku, Devolli, Pusteci, disa fshatra të Maliqit, Mokër, janë aktualisht pa energji elektrike”.
Ndërsa, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj tha:
Situata në qafën e Llogarasë s’ka qenë asnjëherë në vështirësi. Koncesionari ka punuar shumë mire dhe në asnjë moment s’kemi pasur pengesa. Qytetarët e Vlorës dhe zonave përreth e presin me padurim borën, që është kthyer në atraksion turistik për vendin tonë. S’kemi pasur asnjë lloj ndërprerje të energjisë elektrike”.
Kryetar i Këshillit të qarkut Kukës, Abdullah Domi u shpreh:
Me përjashtim të Valbonës, jo rruga kryesore, të gjitha rrugët nacionale të qarkut Kukës janë të hapura. Në Valbonë apo Shishtavec ka pasur një trashësi bore nga 5-10 cm, e papërfillshme për firmat kontraktore. Disa fshatra të njësisë Margegaj nuk kanë pasur furnizim me energji elektrike, por është bërë i mundur rikthemi i energjisë elektrike”.



