Avokati Ili Gërdupi flet për një rast të rrallë, lidhur me një kërkesë në gjykatë për ndryshimin e gjinisë, nga një shtetas shqiptar me banim jashtë vendit, i cili i është nënshtruar një ndërhyrje për ndryshimin e gjinisë nga femër në mashkull. “Në shtetin ku jeton klienti im në Itali, ndryshimi i gjinisë bëhet me vendim gjykate. Procedura që po ndiqet, vendimi i marrë nga shteti italian, kërkohet njohja nga një gjykatë shqiptare, konkretisht procedurë që kryhet në Gjykatën e Apelit”. Nga studio e lajmeve të MCN Tv, avokati sqaroi në ligjin aktual ndryshimi i gjinisë nuk bëhet dot në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por ai shton se në rastin konkret vendimi është marrë nga një gjykatë e huaj në shtetin italian, ku njihet një procedurë e tillë dhe gjykata shqiptare do vendosë nëse do pranojë apo do të thotë se megjithëse është marrë nga një gjykata italiane, nuk përputhet për disa arsye. “Gjykata e Apelit do të duhet të legjitimonte këtë vendim që është në fuqi, vendimi i gjykatës kërkonte që personit të regjistruar në Itali, t’i ndryshohen të dhënat nga gjinia femërore në mashkullore dhe të kalonte nga emri femëror në emrin e zgjedhur mashkullor. Të njëjtën gjë duhet të bënte dhe gjykata, duke ndryshuar gjininë nga femër në mashkull dhe ndryshimin e emrit në mashkull. Shqipëria është në vakumin interesant, që nuk ka një shprehje të qartë për ndërrimin e gjinisë. Shqipëria ka vendosur të mos shprehet, është lënë evazive, gjykata nuk ka diçka formale që ta pengojë regjistrimin. Por mund të përmend precedentët, se një person që ndërron gjininë dhe bën ndërhyrjen jashtë vendit, nuk ka mënyrë si të bëjnë një ndryshim ligjor, se mungon procedura e shprehur në ligj. Duke përfituar nga vendimi i huaj ne kemi një rrugë të shtruar”. Avokati ngriti si shqetësim se shteti shqiptar nuk ka marrë hapa për ndryshim ligjor, duke thënë se ky rast mund të shërbejë si indicie pasi po flasim për diçka që nuk është më tabu. “Klienti im jeton në Itali, por gjithsesi përdor dokumente identifikimi shqiptare, kur paraqitet pranë bankës apo një noteri në pamje duket mashkull, ndërsa dokumenti tregon femër dhe në çdo rast duhet të japë shpjegime. I jep vështirësi jetësore e cila do mund lehtësisht të ishte shmangur. Uroj që Gjykata e Apelit të japë vendimin e duhur, pasi në të kundërt Gjykata e Strasburgut e ka një praktikë të shtruar ku flet për shkelje të drejtave të njeriut. Që nga viti 2002 ka një qëndrim të konsoliduar ku thuhet se shteti duhet të ofrojë mundësinë shtetasve që me një procedurë të mundësuar me ligj, tu njihet e drejta. Do detyrohej shteti shqiptar të bënte ndryshimin ligjor dhe të paguante dëmshpërblimin. Po për shkak se personi jeton prej shumë vitesh jashtë është regjistruar në gjendjen civile italiane dhe aty është regjistruar dhe emri i ri dhe gjinia e re, ky ndryshim për shtetin italian është diçka e kryer. Klienti është dhe rezident jashtë dhe për dokumentet e rezidencës figuron mashkull, ndërsa në Shqipëri figuron me gjininë e lindjes”.



