
Një presion i natyrës korruptive do të ishte sipas analistit Mustafa Nano biseda e publikuar një ditë më parë nga MCN TV mes sipërmarrësit Françesko Beketi dhe Engjëll Agaçit. Megjithatë, referuar bisedës së vitit 2014, Nano thotë se duhen bërë hetime, pasi një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga burime të tjera.
Është një dëshmi që ka dalë nga Beketi. Nuk konfirmohet nga burime të tjera. Emri i Enkeled Jotit supozohet se përdoret nga Agaçi, nuk e di sa duhet t’i besoj Beketit dhe Agaçit, i cili është një personazh misterioz. Ai ka fituar gjyqin dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Do të isha i kujdesshëm në gjykimin e Beketit. Ai ka pasur probleme me Deutche Bank, me Enelin. Po të jetë e vërtetë, është një presion i natyrës korruptive. Nuk e dimë nëse është e vërtetë. Duhet bërë një hetim i kësaj historie.
Megjithatë, sipas Nanos, edhe nëse rezulton e vërtetë, kjo nuk do të çudiste askënd, pasi dihet si funksionojnë gjërat në Shqipëri.
Unë e besoj që kaq lehtë bëhen gjërat në Shqipëri. Por rezervohem për ta marrë si të vërtetë pasi është thënë nga njëra palë. Nëse do të provohej, nuk do të skandalizohesha pasi e di që shumë punë të tilla bëhen në këtë mënyrë në Shqipëri. Në këtë mes ka rëndësi vetëm një gjë: që Beketi ka fituar gjyqin dhe shteti shqiptar nuk ka ku ankimon.
Detajet e vendimit të gjykatës së arbitrazhit u publikuan një ditë më parë nga MCN TV, sipas Nanos janë një punë e mirë gazetareske. Por sipas tij, për shkak të natyrës së rezervuar të proceseve të tilla, mund të mbeten enigmë shumë të tjera.
Lidhur me Agaçin apo të tjerë, nuk e di nëse janë thirrur. Këto gjyqe janë gati si masonike. Edhe vendimin nuk e di si e ka gjetur MCN, është një punë e mirë gazetareske, kështu që bravo. Ndoshta nuk do ta marrim vesh kurrë nëse Agaçi është thirrur atje.
Lidhur me mungesën e prononcimit nga ana e Partisë Demokratike në lidhje me çështjen Beketi, Nano tha se kjo vjen për shkak të bashkëpunimit që sipërmarrësi ka pasur më parë me qeverinë e djathtë.
Beketi është një personazh i njohur ni jetën publike shqiptare, ka bashëkpunuar me shumë qarqe politike. Ka pasur marrëdhënie me qeverinë Nano dhe Berisha. I pari i ka dhënë koncesione, i dyti ia ka dekretuar. Pastaj erdhi Rama dhe e ka parë si macen e zezë. Personazhe të tjera heshtin sepse kanë qenë palë në këtë marrëdhënie.



