Lideri suprem i Iranit, në fjalimin e tij pas sulmeve me raketa ndaj bazave amerikane në Irak, përmend edhe Shqipërinë. Khamenei e përmend Shqipërinë si aleate të SHBA-ve, duke e cilësuar “një vend i vogël djallëzor”. Khamenei përmend muxhahedinët e strehuar në Manzë, opozita e Iranit (MEK).
"Një vend i vogël europian, shumë i vogël dhe shumë djallëzor ka bërë komplot me SHBA dhe tradhëtarët e MEK kundër Iranit", tha Khamenei.
Lidhur me mundësinë e kthimit të Shqipërisë në një objektiv të mundshëm si aleat i SHBA-ve pas acarimit të marrëdhënieve SHBA-Iran, kryeministri Rama është i qetë.
Nga Vjena, Rama tha se nuk ka asnjë arsye objektive që ka një ekspozim të veçantë të vendit përballë Iranit. Sipas Ramës, kjo sepse muxhahedinët në vendin tonë janë për asrye humanitare dhe jo politike.
“Kemi marrë një veprim që i bën nder Shqipërisë në vazhdën e një aleance strategjike me SHBA për të hapur dyert një grupi njerëzish që janë në rrezik për jetën. Ata në Shqipëri janë si rezultat i një operacioni humanitar dhe jo politik. E dimë shumë mirë si veprojnë diktaturat dhe shërbimet totalitare. Nuk besoj se kjo e ekspozon në mënyrë të posaçme Shqipërinë. Jemi në kontakt permanent me aleatët tanë dhe kur është puna të Inteligjenca, ata janë të pakonkurueshëm botërisht, jemi në duart të sigurta te marrja e informacionit. Nuk kemi arsye objektive që ka një ekspozim të veçantë”, tha ai.
Në Shqipëri strehohen në kampin e Manzës rreth 3 mijë anëtarë të organizatës Mojahedin-e-Khalq, ose siç njihet ndryshe me emrin muxhahedinët e popullit iranian. Ata janë vendosur në kampin e posaçëm që në vitin 2013, pas marrëveshjes me SHBA-në që pasoi vizitën e sekretares së Shtetit në atë kohë, Hillary Clinton, në Tiranë.



