Duket si heroi i filmit “Cast away”, por në fakt përveç jetesës i vetëm në një ishull, shumë pak e lidh me personazhin e luajtur nga aktori Ton Hanks. David Glasheen, ka lindur në Sidnej 73 vjet më parë, dhe 20 vitet e fundit i ka kaluar si një Robinson Kruzo i kohëve moderne. Ai jeton i vetëm në Restoration Island, një parajsë e vogël në tokë larg nga bregu verilindor australian.
I vetmi që e shoqëron është qeni Polly. Në fund të viteve ’80, Glasheen ishte një njeri biznesi. Ai ka qenë president i një miniere ari në Papua New Guinea, por humbi gjithçka në “të hënën e zezë” të vitit 1987. 10 milionë dollarë avulluan brenda një dite. Që atëherë, ai u vendos në ishullin, për të cilin më pas pati disa konflikte me ortakët dhe komunitetin aborigjen. Ai ka vendosur të jetojë larg luksit të qyteteve të mëdha. Glasheen thotë se një herë në vit shkon në qytetin Cairns për t’u furnizuar me ushqime. Ndërkohë, baza e dietës së tij është peshku që e kap vetë, perimet që i kultivon dhe uji i pijshëm në sasi të kufizuara që ka ishulli.
Megjithatë, ai nuk qëndron tërësisht i shkëputur nga bota. Mund të lidhet me internetin dy herë në ditë falë një antene wi-fi rreth 30 km nga vendi ku jeton. Ka njohur shumë njerëz përmes internetit, madje ka edhe profilin e tij në një faqe takimesh.
Ka miq që shkojnë ta takojnë të paktën një herë në vit dhe ai vetë ka lëvizur në Kanada, Laos, Britani të Madhe dhe Meksisë gjatë 20 viteve të fundit.
Glasheen është i bindur se do të mbyllë jetën në ishull. “Nuk kam rutinë. E para gjë që bëj çdo mëngjes është të kontrolloj varkën. Pastaj mund të bëj çfarë të dua. Por e sigurt është që nga këtu nuk do të iki kurrë”, thotë ai.



