
Kryeministri Edi Rama ka shpallur së fundmi tre reforma të reja: Shqipëria turistike, menaxhimi i ujit dhe trajtimi i mbetjeve urbane.
Por, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit për Bashkitë, Agron Haxhimali, i ftuar në “MCN live”, këto janë thjesht rikthime të një rrethrrotullimi reformash pa thelb dhe pa funksionalitet.
Haxhimali kritikoi qasjen e qeverisë në dhjetë vitet e fundit, të cilën e cilëson si një seri rrokadash të shëmtuara, që nuk kanë prodhuar asnjë rezultat konkret.
Kemi 10 vite që e themi se janë bërë rrokada të shëmtuara, nga decentralizimi te centralizimi. Psh, ligji për menaxhimin e stacioneve të plazhit është ndryshuar disa herë.
120 stacione plazhi përgjatë 340 km vijë bregdetare janë në juridiksionin e 11 bashkive, dhe këtyre u është hequr e rikthyer përgjegjësia sipas tekave të ditës.
I kemi hequr punën bashkive atje ku ‘kërcet dajaku’, por s’mund të funksionojë kështu.
Vendimmarrja është tepër e përqendruar te Kryeministri, i cili, udhëheq një lojë politike të papërgjegjshme dhe të pastudiuar mirë.
Vendoset nga lart: hiqe, vendose, bëje këtë, bëje atë.. Por kjo tregon që përgjegjësia është e madhe dhe bie mbi kryeministrin.
Duhet parë se Ramen po ta dëgjosh është si ajo shprehja ‘lum ne qe e dëgjojmë’, por kur vjen puna për ta parë është ‘mjerë ne çfarë shikojmë’.
Me kryeministrin duhet të jesh dakord në çdo gjë, por nuk ke garanci se e bën.
Haxhimali, numëron disa nga reformat e propozuara nga Rama, për të cilat i tha që nuk i çoj deri në fund.
Reforma territoriale u shpall si revolucionare, u premtua që bashkitë do të kishin më shumë kompetenca, inspektorate, policinë bashkiake, plane zhvillimi dhe burime të vetat. Por vetëm 24 orë më vonë, qeveria u tërhoq.
Tha se do e bënte vijën bregdetare model, pa vrasje, pa konflikte. U diskutua shumë, por nuk ndryshoi asgjë. Reforma u nis, por s’u çua kurrë deri në fund.
Sot kemi një kryeministër që mban 3-4 mbledhje me kryetarë bashkish çdo muaj, por realisht nuk u jep kompetenca.
Haxhimali dha një vlerësim të ashpër për qasjen e qeverisë ndaj reformave.
Premtimet janë të mëdha, por realizimi i tyre është pothuajse inekzistent.
Reforma territoriale u bë, por pas 3-4 vitesh vetë qeveria tha se nuk ka kapacitet për të pasur 61 bashki. Jam i zhgënjyer nga mungesa e një vizioni të qëndrueshëm.



