Një sondazh i Këshillit të Investimeve ka gjetur nivele mjaft të larta informaliteti me pagat e punonjësve në sektorin privat. 73% e bizneseve kanë pohur se ka informalitet në ekonominë shqiptare, ndërkohë që 58% kanë pranuar se evazioni kryesor kryhet me pagat e sigurimet e punonjësve. Eksperti i çështjeve të punësimit, Erion Muça, thotë se shifrat tregojnë një realitet të zymtë, brenda të cilit punëdhënësi nuk e sheh punonjësin si investim, por si kosto dhe shpenzim.
Situata e informalitetit nuk ka ndryshime drastike nga viti në vit edhe pse ka një presion të shtuar nga ana e vetë punëkërkuesit, që ka bërë që kompanitë të jenë më të formalizuara.
Mosrespektimi i kontratës së punës nis nga orët shtesë të papaguara, ditët e pushimit zyrtar, modeklarimi i pagës së plotë. Kjo shkallë e lartë e shkeljeve tregon se punonjësi nuk shihet si element investimi. Një pjesë e biznesve e shohin punonjësin si kosto dhe shpenzim. Mbajnë nën kontroll nivelin e pagave në mënyrë që të mos kalojë fitimin e pritshëm. Për mua duhen marrë për bazë në mënyrë nominale bizneset, për të kuptuar si barra fiskale ndikon në shkallën e informalitetit.



