
Kryeministri holandez Mark Rutte u takua me presidentin ukrainas Zelensky në Kiev të hënën, duke përsëritur se vendi i tij është i gatshëm të mbështesë Ukrainën "tani dhe në vitet në vijim".
Rutte lavdëroi popullin ukrainas për luftën e tyre kundër Rusisë dhe tha se ata "meritonin vëmendjen e vazhdueshme të botës".
"Kjo luftë mund të zgjasë më shumë nga sa shpresonim apo prisnim të gjithë. Por kjo nuk do të thotë që ne mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë pasivisht se si shpaloset. Ne duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën çdo ditë politikisht, duke shprehur shpesh dhe hapur mbështetjen tonë, duke mbajtur presionin mbi Rusinë e Putinit dhe duke forcuar bashkëpunimin politik me Ukrainën në mënyrë dypalëshe dhe shumëpalëshe”, u tha Rutte gazetarëve në Kiev.
“Malet e grurit ukrainas janë duke pritur për transport në të gjithë globin. Shumë njerëz varen nga ajo për vaktin e tyre të përditshëm dhe unë u godita me të vërtetë nga fakti që Presidenti Zelensky dhe ekipi i tij po punojnë shumë për të gjetur çdo rrugë në dispozicion për të nxjerrë drithin jashtë”, shtoi ai.
Presidenti Zelensky falënderoi Rutte dhe vuri në dukje Holandën si "ndër dhjetë partnerët më të mirë" të Ukrainës për sa i përket "sasës së mbështetjes së ofruar për mbrojtjen".



