Zhabina: Krimi ka financuar projekte të rëndësishme. Caca: Transparenca për lejet e ndërtimit, detyrim ligjor

Zhabina: Krimi ka financuar projekte të rëndësishme. Caca: Transparenca për lejet e ndërtimit, detyrim ligjor

Kush i fsheh lejet e ndërtimit që prej vitit 2025? Kjo ishte tema e diskutimit në emisionin “MCN Economy”, ku arkitekti Gjergj Caca dhe gazetari Zhevahir Zhabina ngritën shqetësime për mungesën e transparencës në publikimin e lejeve të ndërtimit të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), si dhe për zhvillimet në tregun e ndërtimit në Shqipëri.

 

Gazetari Zhevahir Zhabina tha se mungesa e statistikave zyrtare ka detyruar median të kërkojë të dhënat në mënyrë alternative.

 

Është një punë e koleges Ola Xama, e cila, në mungesë të një informacioni zyrtar ose publik mbi lejet që lëshon KKT-ja dhe metrat katrorë të miratuar prej saj, vendosi t’i gjente këto të dhëna manualisht në QKB. Pasi u identifikuan lejet, sipërfaqet dhe subjektet përfituese, rezultuan disa milionë metra katrorë të miratuar nga KKT-ja për ndërtime të larta apo kulla.

 

Ai theksoi se një nga gjetjet më domethënëse të investigimit lidhet me mënyrën e financimit të projekteve.

 

Rreth 80% e buxhetit të nevojshëm për ndërtimin e këtyre projekteve sigurohet përmes parapagimeve. Kjo do të thotë se apartamentet shiten që në fazën e gropës dhe më pas fillon ndërtimi. Pra, ndërtohet në varësi të ritmit të shitjeve. Kjo tregon se mungon një plan i qartë dhe i strukturuar për financimin e projekteve.

 

Zhabina e lidhi situatën në sektorin e ndërtimit edhe me hetimet e fundit të Prokurorisë së Posaçme kundër grupeve të narkotrafikut.

 

Vetëm në dy operacione të SPAK-ut janë sekuestruar pasuri me vlerë nga 600 deri në 700 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve ishte investuar në sektorin e ndërtimit dhe në projekte të rëndësishme në vend. Në dosjen ‘Aruba’, për shembull, përmendet edhe tentativa për të investuar para në projekte prestigjioze në bregdet, ndërsa në raste të tjera rezulton se financimi i kullave të rëndësishme ka ardhur pjesërisht nga të ardhura të lidhura me trafikun e kokainës.

 

Sipas Zhabinës, mungesa e transparencës institucionale e bën edhe më të vështirë monitorimin e tregut.

 

Konkluzioni im është se pa paratë e krimit të organizuar, kryesisht të trafikut të kokainës, shumë projekte të rëndësishme ndërtimi në Shqipëri nuk do të ishin zhvilluar dhe nuk do të zhvillohen. Kjo vjen në vazhdën e mungesës së transparencës së institucioneve.

 

Nga ana tjetër, arkitekti Gjergj Caca kritikoi mënyrën se si institucionet publike administrojnë dhe publikojnë informacionin.

 

Ne nuk kemi as inventarin minimal të aseteve që ndodhen brenda institucioneve. Vazhdon ende mentaliteti i viteve ’90, ku gjithçka funksionon me firma dhe procedura informale. Duke mos pasur as inventarin bazë, imagjinoni çfarë ndodh me statistika, dokumente dhe vendime të rëndësishme brenda administratës.

 

Ai sqaroi se procesi i miratimit të një lejeje ndërtimi nuk përfundon me votimin në KKT, por kërkon plotësimin e kushteve të përcaktuara në vendim.

Në mbledhjet e KKT-së projektet mund të miratohen, të refuzohen ose të kthehen për plotësime. Edhe kur miratohen, shpesh vendosen kushte shtesë. Një nga elementët kryesorë është pagesa e taksës së infrastrukturës. Nëse kjo nuk kryhet, leja nuk zbardhet dhe nuk printohet dokumenti përfundimtar. Kjo është ajo që shpesh quhet zvarritje ose moszbardhje e lejes.

 

Sipas Cacës, problemi kryesor mbetet mungesa e publikimit të vendimeve.

 

Detyrimi i qeverisë është që çdo vendim të jetë publik. Sot qytetarët shohin vetëm që një çështje është diskutuar në mbledhje, por nuk dinë rezultatin përfundimtar. Nëse një projekt është refuzuar apo kthyer mbrapsht, duhet të publikohet vendimi dhe argumentet përkatëse. Transparenca nuk është zgjedhje, por detyrim ligjor.

 

Arkitekti ngriti gjithashtu shqetësime për centralizimin e kompetencave në procesin e planifikimit dhe ndërtimit.

 

Patjetër që duhen zbardhur lejet, sepse çdo vendim ka një afat ligjor brenda të cilit duhet të publikohet, njësoj si vendimet e gjykatave. Sot askush nuk mban përgjegjësi. Kryeministri ka centralizuar kompetencat dhe bashkitë janë lënë me shumë pak hapësirë vendimmarrëse. Po të shohësh kompetencat që ka KKT-ja, nuk mund të funksionojë duke trajtuar çdo projekt ndërtimi në mënyrë të centralizuar.

 

Të dy të ftuarit ranë dakord se mungesa e të dhënave të plota mbi lejet e ndërtimit dhe mos publikimi i vendimeve përfundimtare krijojnë paqartësi për qytetarët, investitorët dhe vetë tregun e ndërtimit, duke e bërë transparencën një nga sfidat kryesore të sektorit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy