
Më 29 nëntor të vitit 2018, takimi i zhvilluar mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës u duk sikur i dha fund kalvarit të gjatë të zvarritjeve nëpër dogana nga ana e bizneseve të të dy shteteve. Ajo që u prezantua si “Unifikim Doganor” nuk është gjë tjetër veçse lehtësim i procedurave doganore mes dy vendeve. Pas deklaratave me doza të larta patriotike, dhe takimesh të zhvilluara prej 5 vitesh, mesa duket pas tyre fshihet vetëm vetë loja politike. “Brenda 6 muajsh do të implementohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga kabinetet qeveritar”. Ky ishte premtimi i dhënë nga kryeministri Edi Rama, në deklaratën e dhënë për shtyp pas përfundimit të takimit në Pejë, madje duke e quajtur si mbledhja me rezultatet më konkrete.
Ndërkohë që kanë kaluar rreth 6 muaj, marrëveshjet e nënshkruara ashtu siç rëndom ka ndodhur, kanë mbetur vetëm në letër. Më datat 20 dhe 21 maj të këtij viti, dy qeveritë u ulën përsëri në diskutime, por këtë herë pa praninë e dy kryeministrave, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama, bojkot që erdhi pas debateve të ditëve të fundit mes tyre, sa i takon tarifës së Rrugës së Kombit. Në takimin e 6 të dy kabineteve, ndryshe nga paraardhësi, tonet e palës kosovare ishin tepër të ashpra, madje u bë i ditur edhe fakti se asnjë nga 9 marrëveshjet e arritura nuk kishte gjetur zbatim. Për këtë arsye, në takimin e datës 20 maj, zv.kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, pohoi se qershori do të jetë afati i fundit për vënien në zbatim të marrëveshjeve.
Në përgjigje të kësaj kërkese, edhe zv.kryeministri i Shqipërisë, Erjon Braçe, pohoi se përpara tyre qëndrojnë 4 sfida madhore, të cilave këto 5 vite ende nuk u është dhënë zgjidhjeje.
Muaji maj, ndryshe nga nëntori i vitit 2018, nuk la shumë vend për patriotizëm, por u përqendrua konkretisht në pengesat që nuk janë lehtësuar, por që pritet të shtohen edhe më tepër. Menjëherë pas diskutimeve mes kabineteve, ministri i Trgtisë dhe Industrisë në Kosovë Endrit Shala, pohoi për TemaTV se takimi ishte për të monitoruar marrëveshjet e firmosura, si dhe për të bërë edhe një përpjekje për eliminimin e plotë të pengesave tarifore dhe jotarifore.
E teksa ka listuar pengesat që janë të pranishme në pikat doganore të Shqipërisë, Limaj e ka konsideruar haraç pagesën për skanerin në doganë.
Po ashtu, edhe ministri Shala ka evidentuar edhe një herë të gjitha pengesat me të cilat përballet Kosova teksa eksporton apo importon mallra me Shqipërinë.
Të gjitha këto pengesa kanë bërë që bizneset dhe ndërmarrjet në Kosovë ta rendisin Shqipërinë të dytën pas Serbisë, sa u takon pengesave që dëmtojnë biznesin e tyre. Ky rezultat u paraqit nga kreu i Klubit të Prodhuesve të Kosovës Astrit Panxha, në takimin e organizuar mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë dhe Odës Ekonomike të Kosovës.
Sa i takon këtyre të dhënave, Panxha shprehet për TEMATV se ishte një rezultat i padëshirueshëm, dhe se bizneset e qeveritë duhet të marrin si shembull shkëmbimin kulturor, që është në nivel tepër të lartë.
Po si e lexojnë sipërmarrësit dhe bizneset në Shqipëri një shifër të tillë? Sipërmarrësi Zef Shtjefni thotë se duhet të ndalohet tarifimi, pasi po nxjerr jashtë loje tregtinë e dy vendeve, duke i bërë jo konkurruese në raport me vendet e rajonit. Madje Shtjefni pohon se rritja e eksporteve drejt Kosovës ka ardhur si pasojë e taksës 100% për Serbinë dhe Bosje Hercegovinën.
Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, Alban Zusi, shprehet për TemaTV, se ky rezultat është tepër shqetësues por situara duhet lexuar pak më në detaje.
Por cilat janë arsyet që nuk po ndodh i ashtuquajturi “Unifikim doganor”? Astrit Panxha pohon se ekzistojnë shumë barriera të pajustifikuara, mungon vullneti politik dhe gjithçka ka mbetur në heshtje.
Mungesa e vullnetit duket se është arsyeja kryesore që po bëhet pengesë. Zusi i bashkohet këtij mendimi teksa shton se gjithçka ka mbetur në kuadër të deklaratave dhe ende nuk ka dalë një vendim i formës së prerë, madje hedh akuza edhe ndaj administratës.
Ndërsa sipas Shtjefnit, burokracia, mafia dhe puna e dobët e administratës janë shkaqet.
Mirëpo a do të përmbushen brenda një muaji të gjitha kërkesat e bëra që do të çonin edhe në rritjen e shtëmbimeve tregtare mes dy vendeve dhe për pasojë edhe në rritje të mirëqenies?
Ashtu si edhe në takimin e 5, edhe këtë herë vëmendja u përqendrua te vendosja e taksës për Rrugën e Kombit. Zv kryeministri Limaj, në prani të bizneseve dhe përfaqësuesve të Shqipërisë, ka kërkuar që vendimet dhe obligimet e qeverisë së Shqipërisë të mos i paguajë pala tjetër.
Efektin negativ të kësaj tarife e ka konfirmuar me shifra edhe Alban Zusi, i cili tha se është ulur fitimi dhe janë rritur kostot. Ndërsa Shtjefni thotë se duhet të hiqen barrierat me të gjitha vendet.
Po paguajmë haraç, kështu e ka cilësuar Limaj pagesën e skanerit nga bizneset e tyre. Madje ka shpërthyer edhe në kritika të ashpra ndaj Tiranës.
Këtyre deklaratave iu është përgjigjur edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila pohoi se mund të ulet tarifa e skanerit, por nuk ka komentuar asgjë në lidhje me kërkesën për Rrugën e Kombit.
Por cila ka qenë përgjigjja e dhënë nga Tirana zyrtare për taksën e Rrugës së Kombit?
E teksa diskutimi ka mbetur në këtë aks rrugor, ajo që duket se shumë shpejt do të kthehet në një pengesë të shtuar për bizneset do të jetë bërja me pagesë e autostradës Tiranë-Durrës. Ministri Shala u bën apel zyrtarëve të Shqipërisë që të heqin dorë nga një tarifë e re pasi do i dëmtonte shumë.
Ndërsa Zusi e sheh krejt të pavend vendosjen e kësaj takse të re.
Mirëpo nëse Shqipëria vendos tarifa të tilla, edhe Kosova do t’i përgjigjet. Në këtë konkluzion dalin ekspertët e fushës, të cilët thonë se duhen eleminuar muret e ngritura pasi Kosova do ta mbrojë biznesin e saj, qoftë edhe me sanksione.
Madje, sipërmarrësi pohon se ka informacione se çdo kamion që kalon në doganë paguan ryshfet.
E vetmja pikë që mesa duket i bën bashkë bizneset dhe politikën është hapja e zyrës doganore në Durrës, pavarësisht se e shohin thjesht si tranzit dhe pa ndonjë ndikim madhor në rritjen e tregtisë.
Ndërkohë, ashtu siç ishte parashikuar, vendosja e tarifës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës ka rritur ndjeshëm eksportet shqiptare. Gjithsej në muajit e parë të këtij viti, vlera që ka eksportuar vendi ynë drejt Kosovës arrin në 66 milionë euro, e kryesisht ka tregtuar hekur, metale dhe çelik. Madje rritja e eksporteve thuajse ka zëvendësuar mungesën e Serbisë në tregjet.
Duke qenë se kohët e fundit, debati mes kryeministrit Haradinaj dhe Ramës ka qenë tepër i ashpër, pyetja që lind është nëse i është kërkuar edhe ministrit heqja e sanksionit ndaj Serbisë?
Ndërkohë, sipas INSTAT për katërmujorin e parë të 2019, Shqipëria ka eksportuar mallra me vlerë prej 8.9 mld lekë duke shënuar një rritje të ndjeshme me rreth 3.1 mld, ndërsa Kosova ka importuar më pak. Nga 2.3 miliard që ishte në 2018, kanë arritur në 2.1 mild lekë. Po ashtu në rënie ka ardhur edhe numri i personave që ka hyrë në vendin tonë këto 4 muaj, pasi hyrjet nga kosova kanë rënë me 6.4%, çka lë të kuptohet se faktorët e lartpërmendur kanë dhënë efekt të dyshanshëm dhe të menjëhershëm. Për këtë arsye Panxha kërkon bashkëpunim më të madh mes vendeve.
Ndërsa ekspertët tanë kërkojnë që bizneset tona të identifikojnë dhe të dokumentojë të gjitha pengesat që hasin në Kosovë.
Pavarësisht premtimeve, vënia në zbatim e praktikës “një ndalesë - një kontroll” ende mbetet një objektiv mesa duket i largët. Por pas gjithë parashtrimeve dhe pengesave të përmendura, pyetja që mbetet ende enigmë, e pashpjeguar dhe e strukur nën hijen e politikës, është fakti se përse ekzistojnë të gjithë këto barriera dhe se kur do të munden shqiptarët t’i rrëzojnë ato?!!



