
Gazetari Ferdinand Dervishi, në një analizë për “MCN Lajme”, ka zbërthyer strategjinë e re të ndjekur nga protestuesit gjatë përplasjeve të fundit në kryeqytet.
Sipas Dervishit, kalimi në një protestë më të zëshme dhe aktive erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e indiferencës dhe moskokëçarjes disamujore të qeverisë ndaj tubimeve paqësore.
Gazetari vuri në dukje se përdorimi i fishekzjarreve nga njëra anë dhe i gazit lotsjellës nga ana tjetër përfaqësojnë "metoda të ndërmjetme" përplasjeje për të zbrapsur palën tjetër.
Metodat janë me fishekzjarre. Të dyja palët kanë parë se çfarë ka efekt. Protestuesit kanë vënë re që efekt për të zbrapsur policinë kanë fishekzjarret, që nuk janë armë.
Pra, edhe gazi lotsjellës nuk është armë, është një metodë e mesme mes protestës pa u prekur fare dhe asaj me armë.
Është një metodë e ndërmjetme për të mundur njëri-tjetrin.
Duket sikur protestuesit e kanë gjetur atë çelësin dhe sot policia është goditur e në disa raste është tërhequr masivisht.
Sipas tij, kjo kthesë në formën e reagimit erdhi pasi qytetarët e kuptuan se qëndrimi paqësor nuk po sillte asnjë reflektim nga ana e kryeministrit Rama.
Përgjigja është shumë e thjeshtë: protestuesit e kanë kuptuar që Edi Ramës me protestë paqësore nuk i lëviz asnjë qerpik.
E provuan gjatë për katër apo pesë muaj dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk fiku asnjë piston të makinerisë së tij shtetërore, të korrupsionit, të vjedhjes apo lejeve abuzive të ndërtimit për oligarkët dhe krimin. Edhe ato që premtoi për ligjin e zonave të mbrojtura nuk i bëri.
Filloi të shpikte ca pasqyra si 'Besa' që i nxirrte një herë në dy ditë e i harronte vetë, duke menduar se po tallej sërish me shqiptarët.
Kjo moskokëçarje solli hapin e dytë dhe u pa që pas këtij hapi, Edi Ramës i lëvizka qerpiku dhe u trembka.
Protestuesit e kuptuan që Rama nuk tërhiqet me paqe, nuk fiton dot luftën me urrejtjen e shqiptarëve.



