Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, ADISA, nuk do të ofrojë më shërbime në sportelet e vendit. Pa kaluar një dekadë nga prezantimi i rrjetit të zyrave të cilat u promovuan thuajse në çdo bashki të vendit si sportele unike të shërbimeve të qytetarëve, këto të fundit zhvendosen në e-Albania.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka çuar në Parlament një projektligj të ri, i cili mban firmën e qeverisë, në varësinë e të cilës është AKSHI.

Drafti parashikon ndër të tjera edhe rritjen e pagave të punonjësve të AKSHI-t, me argumentin se pagat aktuale janë të ulëta në krahasim me kompanitë private.

AKSHI thekson në propozim se me pagat aktuale, është e pamundur të rekrutohet staf i ri.

Ndërkohë, sipas draftit, mbyllja e ADISA-s do të sjellë reduktim të kostove duke qenë se nuk ka më sportele fizike, zyra apo ambiente pune rajonale nuk do funksionojnë më.

AKSHI parashikon që përfitimi për buxhetin e shtetit do të jetë 182 253 100 lekë për 1 vit kalendarik.

Projektligji:

Revolucioni digjital i shërbimeve publike në Shqipëri, i cili filloi me vetëm 14 shërbime online në e-Albania, ka nisur prej kohësh procesin e transformimit të shërbimeve publike dhe ndryshimit të mendjes së qytetarëve në lidhje me këtë formë të re të pashmangshme komunikimi me institucionet shtetërore, duke mundësuar sot 1229 shërbime online, ose rreth 95% e të gjitha shërbimeve publike.

Misioni kryesor i AKSHI-t është përfaqësimi i shtetit shqiptar në administrimin dhe mirëmbajtjen e çdo sistemi dhe infrastrukture hardware dhe software të shërbimeve të qeverisjes elektronike në 2 fushën TIK si dhe përgjigjet për ngritjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e sistemeve dhe aplikacioneve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për infrastrukturën e qendërzuar dhe infrastrukturën TIK për institucionet dhe organet e administratës buxhetore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, si dhe institucionet jobuxhetore për të cilat përdoren tarifat e shërbimit.

Aktualisht është miratuar ligji i posaçëm nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike” dhe rregullimet ligjore për e-qeverisjen. Disa na problematikat që janë konstatuar gjatë zbatimit të këtij ligji janë:

1. Mungesa e një Bordi Këshillimor pranë AKSHI-t, që do të veprojë si organ konsultativ për çështjet e teknologjisë dhe informacionit;

2. Mungesa e parashikimit në ligj mbi mundësinë e ofrimimit të shërbimit të nënshkrimit elektronik, vulës elektronike dhe çertifikatës elektronike për shtetasit shqiptar dhe të huaj;

3. Kuadri ligjor ekzistues ka “një hendek financiar” në lidhje me rekrutimin e stafit për shkak të pagave të kufizuara të cilat nuk janë në nivelin e pagave që ofron tregu për këto detyra dhe funksione specifike;

4. Mosfunksionimi i ADISA-s dhe humbja e koherencës së ligjit specifik nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”. Duke qenë se, tashmë mbi 95% e shërbimeve kryhen online dhe sportelet e kanë ezauruar funksionin e tyre, gjykojmë se ky ligj e ka humbur zbatueshmërinë, pasi de facto ofrimi i shërbimeve në sportele nuk kryhet më;

5. Mungesa e një dispozite specifike, që detyron autoritetet publike dhe subjektet private përgjegjëse për shërbimet elektronike, që t'u përmbahen standardeve minimale qeveritare të TIK-ut dhe standardeve të shërbimit elektronik.

6. Miratimin e Kornizës Kombëtare të ndërveprimit në përputhje me kornizën ervopiane të ndërveprueshmërisë me vendim të Këshilli të Ministrave.