Sejko: Covid-19 goditi ekonominë, humbëm rreth 50 mijë vende pune (VIDEO)

Sejko: Covid-19 goditi ekonominë, humbëm rreth 50 mijë vende pune (VIDEO)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duke folur në punimet e Seminarit XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, ka deklaruar se “pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020”.

Guvernatori Sejko është shprehur se krahasuar me vitin 2019, ekonomia shqiptare ka humbur rreth 50 mijë vende pune.

"Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar. Pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm", tha Sejko.

Ai shtoi se studimet të cilat do të prezantohen, shërbejnë për Bankën e Shqipërisë si themeli i të kuptuarit të fenomeneve ekonomike dhe financiare, si dhe të ndërveprimit të politikave monetare e atyre makro dhe mikroprudenciale, me ekonominë. Falë kësaj kuptueshmërie dhe njohjeje, Banka e Shqipërisë modelon përgjigjen e politikave, dhe zgjedh instrumentet e duhura për t'iu përgjigjur goditjeve negative që mund të ndodhin në ekonominë tonë.

Më tej, Guvernatori theksoi se për shkak të pandemisë, autoritetet hasën vështirësi  në kryerjen e detyrës së tyre, si pasojë edhe bankat qendrore krahas instrumenteve tradicionale të politikës monetare, kanë vënë në lëvizje dhe ato jokonvencionale. Bankat qendrore jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, duke u mbështetur në analizat dhe përfundimet e kërkimeve, janë në proces rishikimi të objektivave të tyre dhe të politikës monetare, ndaj po rishkruajnë ekonomiksin monetar, si një instrument të ri.

Në prani të pengesave aktuale të hasura, bankat qendrore duhet të reagojnë dhe të gjejnë rrugë të reja për të mbështetur ekonominë. Në këtë kuadër, Guvernatori Sejko ftoi fushën e kërkimit të udhëheqë rishikimet dhe modelet, në funksion të politikave ekonomike të qëndrueshme që mund të nxisin rritjen ekonomike, në prani të stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar.

Në përfundim, Guvernatori Sejko falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre duke u shprehur se kontributi i tyre shërben për të përmirësuar punën dhe konkluzionet e kërkimit shkencor, duke i bërë ato më të vlefshme për institucionet tona, sidomos në këtë periudhë krejt të pazakontë të shkaktuar nga Covid-19.

Banka e Shqipërisë organizon Workshop-in XIV të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore. Ky workshop synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2020, dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe kërkuesve nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, si dhe nga akademia vendase dhe e huaj, mbi rezultatet e kërkimit shkencor për çështjet e lidhura me aktivitetin e bankave qendrore.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy