Policia e Tiranës ka arrestuar 18 persona dhe ka proceduar penalisht 28 të tjerë, të cilët dyshohen se gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike hodhën lëndë djegëse (molotovë), sende të forta dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë që kishin marrë masa për ruajtjen e rendit, sigurinë publike dhe lëvizjen e qytetarëve.
Në prangat e policisë kanë rënë: A. K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur.
Përveç tyre, 27 persona të tjerë u proceduan penalisht për veprime të kundraligjshme gjatë tubimit.
Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, u sekuestruan: 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe disa sende të tjera të kundërligjshme.
Gjithashtu, deputeti Klevis Balliu u referua në Prokurori për procedim në gjendje të lirë, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



