
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës.
Pas këtij takimi, në konferencën për media Thaçi është pyetur lidhur me lajmet e fundit për mundësinë e ndarjes së Kosovës.
Ai është pyetur nëse takimi i sotëm ka të bëjë pikërisht me shkëmbimin e territoreve.
“Unë isha në takim me përfaqësuesit legjitimë dhe bartësit e Luginës dhe jo me presidentin e Serbisë, prandaj nuk munden nga kjo rrethanë të përfshihen në këtë proces autoritetet e Serbisë. Deklarimi i vitit 1992 i shqiptarëve të Preshevës është i hershëm që në atë kohë ka qenë i koordinuar me trupin pra këshillin e koordinuar të partive politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi”, ka thënë Thaçi.
Presidenti thotë se ka dëgjuar me vëmendje pozicionimin dhe qartësinë e liderëve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, pra, sipas tij, janë shqetësime të hershme dhe nuk ndërlidhen fare me komentimet sa i përket ndarjes së Kosovës.
“Ndarje nuk do të ketë, marrëveshja përfundimtare e dialogut do të jetë vetëm mes dy vendeve të pavarura”, ka thënë ai.
Liderë të Luginës së Preshevës u pritën të enjten nga kreu i shtetit, një ditë pasi Vuçiç takoi liderët e Listës Srpska në Beogradi.
Ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, para Thaçit kërkoi që Lugina e Preshevës të gëzojë autonomi territoriale brenda Serbisë me të drejtë për t’iu bashkëngjitur Kosovës. Por, Thaçi që foli për të drejtat e tyre tha se Kosova e respekton tërësinë territoriale të Serbisë.
Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës ia ripërsëritën presidentit Thaçi kërkesën e tyre për t’u përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi tha se do të angazhohen për të drejtat dhe avancimin e komunitetit shqiptar në Serbi.



