Përgjegjësja e muzeut historik të Pogradecit, Froselda Tola, punimet për rijetëzimin e kalasë së Pogradecit thotë se ndahen në faza, e para për rehabilitimin e sitit arkeologjik, i nisur në mes të muajit dhjetor dhe brenda sezonit turistik 2024, të përfundojë procesi i daljes në pah të mureve ekzistuese, rehabilitimi i rrugës që ngjit në kala dhe elemente të tjera që nxjerrin në pah këtë vend arkeologjik.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, ajo deklaroi se është një investim ndërkufitar, së bashku me Strugën dhe përfshin një sërë projektesh të tjera, mes tyre rehabilitimin e një muzeu në Strugë, me vlerë rreth 30 mijë euro.
Kalaja është një nga pikat më të rëndësishme historike jo vetëm për Pogradecin por për gjithë territorin shqiptar, se ka qenë qendër e mirëfilltë qytetare ilire, ka qenë një qendër e vogël, por shumë e rëndësishme administrative dhe ushtarake.
Kur kjo kala është ngritur për herë të parë kemi edhe fillimin për herë të parë të shtetit ilir në këtë territor, që ka qenë pikërisht në zonën pranë bregut të liqenit.
Kalaja është braktisur për herë të fundit në shekullin e IX-të pas Krishtit rreth pushtimit bullgar dhe që nga ajo periudhë deri tani që po bëhen investime, ai vend është përdorur vazhdimisht si pikë për vendosjen e garnizoneve ushtarake dhe shpesh banorët muret e kalasë i kanë marrë për të ndërtuar shtëpitë e tyre, dëmtimet e saj janë ndër shekuj.
Së fundmi problematike ishte bërë rruga për tu ngjitur për në kala, e cila ishte e papërshkrueshme për makinat e vogla.
Thjesht janë bërë pastrime të herëpashershme të vegjetacionin, për nxjerrjen në pah të mureve të kalasë, por asgjë tjetër për rehabilitimin e sitit.



