Eksperti i ekonomisë, Gjergj Buxhuku, thotë se në treg mungon shpesh konkurrenca dhe kjo vjen edhe për shkak të institucioneve kontrolluese joefektive. Në studion e MCN Economy, Buxhuku solli rastin e krizës së çmimeve, e cila nisi pas fillimit të luftës në Ukrainë.
Tregu në fakt bazën e zhvillimit e ka te gara. Po nuk pati garë, i bie kuptimi emrit treg. Ne kemi kaluar nga diktatura socialiste, në diktaturën monopoliste. Tregjet e vogla dhe të varfra e lindin natyralisht mungesën e konkurrencës. Edhe në vendet e zhvilluara, edhe aty lindin problematikat e konkurrencës. Thelbi i demokracisë dhe tregut të lirë është konkurrenca. Ne i kemi ndërtuar të gjitha institucionet kontrolluese, po i kemi vetëm në letër. Ato duhet të punojnë në mënyrë perfekte edhe kur vetë qeveria është e interesuar që tregu të jetë liberal. Marrim tregun e miellit. Inflacioni i fundit nuk e kaloi 6%. E dini sa është në Shqipëri? 18%. Ndërkohë që atje ka nisur rënia e çmimeve, këtu çmimet janë fiksuar.
Buxhuku tha se kompanitë që operojnë në treg janë dy llojesh.
Një miku im ka thënë: Në Shqipëri ka dy lloje biznesi: një kategori që punon dhe një tjetër që fiton lekë. Kjo është dramatike. Ata që bëjnë lekë sot në mbi 90% të rasteve janë ata që kanë marrë nga shteti kontrata koncesionare. Kanë marrë kontrata PPP, pra biznese që nuk kanë lidhje direkte me tregun. Janë transformim nga ndërmarrje socialiste në ndërmarrje monopoliste. Sot jemi përballë faktit që janë listuar kompanitë që fitojnë tendera. Sikur t’i lësh pa to, në masën 90% falimentojnë.
Si pasojë e kësaj ndarjeje, sipas Buxhukut, rreziku i krijimit të monopolit rritet.
Marrin koncesione, që janë akti i parë drejt kalimit në monopol. Në rrugën e Arbrit, ura më e lartë në Shqipëri u përmbyt. Si mund të përmbytet ura në 178 metër lartësi? Ky është lajm botëror. Kjo vjen nga cilësia e organizimit të koncesionit. Në Shqipëri përmbytet ura nga PPP.
Buxhuku shtoi se në Shqipëri, problemi kryesor mbetet zbatimi i politikave ekonomike.
Shqipëria nuk vuan nga politikat fiskale. Janë problem, por problemi kryesor që ka Shqipëria janë politikat ekonomike. Mënyra si ti kontrollon tregun, si zbaton politikat tregtare janë politika ekonomike. Ne jemi një shtet që nuk kemi ministri tregtie. Ia kemi nënshtruar tregtinë financës.
Politikat fiskale duhet të jenë shoqëruese të politikave ekonomike. Ne duhet të bëjmë politika tregtare që të ndjekim vendet konkurrente. Por ne problematikën e kemi me sektorët strategjikë, të cilët janë në kushte monopoli dhe mbahen në fuqi me atë që quhet kapje e shtetit.



