Riorganizimi i Shërbimit të Urgjencës pritet të sjellë një rritje të cilësisë dhe shpejtësisë të shërbimit dhe për pasojë familjarëve nuk do t’u duhet më të kryejnë transportin e pacientit drejt spitalit, por do të jetë ekipi mjekësor i specializuar në këtë fushë ai që do të japë ndihmën e parë dhe do të kryejë edhe transportin e të sëmurit.
Gjatë prezantimit të riorganizimit të Shërbimit të Urgjencës në qarkun e Korçës, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, bëri të ditur se kjo zonë do të ketë shtim të automjeteve, pasi ka një shtrirje të madhe dhe zona malore.
“Është i vetmi qark ku na duhet të shtojmë autoambulanca edhe nga ato që kemi sot”, theksoi Beqaj.
Sipas tij, shërbimit mjekësor në qarkun e Korçës do t’i shtohen 19 infermierë, 17 shoferë dhe 1 kordinator.
Por, pranverën e ardhshme me hapjen e Qendrës Kombëtare të Koordinimit çdo ekip mjekësor, infermieror por edhe shoferët do të trajnohen se si të ofrojnë një shërbim shëndetësor më të mirë dhe të shpejtë, ku të mund të përcaktojnë kategorinë e urgjencave, dhe më pas, të drejtojnë të sëmurin atje ku ka nevojë dhe jo në spitalin më të afërt.
Procesi i riorganizimit të Shërbimit të Urgjencës pritet të shoqërohet edhe me rritje të numrit të shoferëve dhe ekipeve mjekësore, pasi flota e autoambulancave sot nuk ka qenë në funksionim të plotë.
“Ne kemi në të gjithë spitalet e Shqipërisë një flotë që, të paktën si mjete motorrike, janë të afta për punë rreth 180 automjete. Por njëherësh, edhe sot po të pyesim se sa janë në shërbim në të gjithë Republikën, janë vetëm 70. Pse? Arsyeja e parë është shumë e thjeshtë: 180 autoambulanca, 220 drejtues automjetesh. Domethënë, 1 shofer, autoambulancën e vet. Kështu ishte. Ndërkohë që një autoambulancë të punojë siç duhet 24 orë në 7 ditë të javës, duhet të ketë 5 shoferë. 40 orë është java e punës”, ka pohuar kreu i shëndetësisë.
Ai tha se në qarkun e Korçës, disa autoambulanca do të stacionohen përgjatë ditës edhe në zona të largëta malore.
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, e cila pritet të vendoset në funksion të plotë këtë pranverën, do të jetë ajo që do të bashkërendojë dhe menaxhojë të gjitha rastet e urgjencave në të gjithë vendin.



