Zonat bregdetare janë më të rrezikuarat nga pandemia për shkak të fluksit në plazhe. Përtej kësaj, bashkitë e këtyre zonave po përballen me vështirësi që lidhen me menaxhimin e situatës por edhe aktivitetin ekonomik në rënie. Lidhur me këtë, kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, në një lidhje skype me edicionin e lajmeve në TvT, sqaroi se deri tani, krahasuar me periudhat paraprake, nuk mund të flitet për turizëm në pjesmarrje, e gjitha kjo si “ndëshkim” nga pandemia dhe pasojat ekonomike të saj.
“Tani akoma nuk mund të flasim për turizëm në pjesmarrje, nuk është se nuk ka filluar, por me kapacitete shumë të ulët, të shpresojmë se do të jetë në ngritje, kemi marrë masa për cilësinë e shërbimeve, edhe në marrëdhenje me operator dhe punë publike të cilat i takojnë bashkisë, porse kjo nuk varet nga ne. Mos harrojmë se kufijtë janë të mbyllur, janë pushues që janë jashtë dhe nuk vijnë dot, shqiptar nga Kosova që janë jashtë dhe zakonisht vijnë këtu për pushime, dhe për momentin vetizolimi i Shqipërisë, ka krijuar problemet e veta”.
Për më tepër, ngadalësimi i aktivitetit ekonomik, ka ndikuar në masë të madhe në të ardhurat lokale, për çka, kryetari i bashkisë Lezhë, ngre shqetësimin se deri më tani janë vetëm në vlerën 42 përqind të të mbledhurave nga taksat e bashkisë.
“Po sigurisht që deri tani ka krijuar një problematikë të madhe, jemi vetëm në 42 përqind të mbledhjes së taksave, situata nuk është shumë optimiste, pandemia edhe në mbarë botën që ka sjell ulje në ekonomi, jo vetëm në Shqipëri, duhet me durim e qetësi, të ecim në përmirësimin e situatës sa të jete e mundur, si dhe për masat për të mos transmetuar virusin në masë gjatë kësaj periudhe. Turizmi ekonomik , janë të lidhura me pandeminë, dhe të shpresojmë që situatat të marrë pëqe mbarë dhe të mos kemi problem”.
Nisur nga kjo, kryetari Ndreu, thotë se tashmë nga ana e bashkisë është bërë rishikimi i buxhetit dhe për pasojë janë bërë shumë shkurtime, kryesisht në shpenzime dhe investime të panevojshme për momentin dhe se projekti për marrjen e taksave nuk është i mundur aktualisht.
Lidhur me faktin se IKMT-ja nuk vepron e kordinuar edhe me pushtetin lokal për ndërhyrje që bëhen në zona që janë nën juridiksionin e bashkive, Ndreu, e quan këtë tashmë kapitull të mbyllur, meqë është dhënë urdhër që deri në shtator të mos punohet në këtë drejtim.



