
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur qytetin e Fierit për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet.
Nga Ura e Mifolit, atje ku lumi Vjosa tashmë ka dalë nga shtrati dhe rrezikon dhjetëra banesa, kreu i qeverisë ka pasur dhe një apel për qytetarët që rrezikojnë të përmbyten.
“Në këto momente me rëndësi është të shpëtojmë jetët njerëzore, pastaj edhe bagëtitë, ndërsa pasi të dalë dielli do interesohemi edhe për dëmet”, tha ai.
Por ndryshe nga herët e tjera, kryeministri ka falënderuar liderin e opozitës Lulzim Basha, duke thënë se e vlerëson mirëkuptimin e që ai tregoi ditën e djeshme në parlament, për të vendosur për ndërprerjen e punimeve të seancës së të enjtes, në mënyrë që qeveria të ishte në punë për përballimin e situatës që kanë shkaktuar reshjet e dendura të shiut.
Pranë urës së Mifolit në Fier bashkë me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, nga ku paralajmëroi edhe rëndim të situatës pas daljes së Vjosës nga shtrati, Rama falënderoi ministren e Mbrojtjes që ka qenë në terren së bashku me forcat e armatosura dhe grupet e Emergjencave Civile. Rama theksoi se kemi gatishmërinë më maksimale më të madhe në krahasim me vitet e tjera sepse kemi dhe eksperiencën e duhur.



