
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, thotë se do t’i shkojë deri në fund procesit gjyqësor kundër Lulzim Bashës për shpifje. Balla u paraqit sot në seancën e parë gjyqësore, që do të shqyrtojë akuzat e tij ndaj Bashës për shpifje si dhe nxjerrje të sekretit hetimor për çështjen e 3.4 milionë eurove të gjetura në dy makina “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit. Kreu i PD-së e ka akuzuar Ballën si garanti i 3.4 mln eurove të sekuestruara.
“Ata që na ndjekin thonë që ja këta këtë punë kanë dhe nuk merren me hallet e njerëzve, po me njëri-tjetrin. Besoj që sot edhe në procese të ngjashme po i bëjmë një shërbim politikës shqiptare në tërësi për të ndarë përfundimisht shpifësit nga e vërteta dhe në rastin në fjalë unë e dija, ju të gjithë e dini që Lulzim Basha ka fobi nga këto godinat dhe nuk besoj që do paraqitet ndonjë ditë pavarësisht se burrërrisht i takon të vijë e të përballet. Unë do t’i shkoj deri në fund këtij procesi sikurse dhe një procesi të ngjashëm. Dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi do të fitoj një vendim gjykate që nuk do të më vlejë vetëm mua, por edhe PD. PD sot është shndërruar në një parti që kalon nga një puntatë në puntatën tjetër të Babales”, deklaroi Balla.



