Plani i ri i menaxhimit të parkut Arkeologjik të Butrintit, i miratuar nga qeveria në fund të korrikut ka rihapur debatin nëse këto site të trashëgimisë kulturore u duhen lënë për menaxhim të huajve . Ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, Auron Tare, thotë se ky plan lë jashtë vëmendjes aspekte të rëndësishme të parkut.
“Mendoj që plani është shkruar nga njerëz që nuk e njohin situatën në terren. Ka mungesa të theksuara në koncept dhe vizion. Merret në tërësi në mënyrë sipërfaqësore dhe jo me problemet e rëndësishme që ka një qendër si Butrinti. P.sh. Për kuriozitetin tuaj mund t’u them se mungon tërësisht pjesa e trashëgimisë kulturore nënujore”.
Për 10 vitet e ardhshme, Parku Arkeologjik i Butrinitit do të menaxhohet nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, duke pasur si referencë Stonhenge në Britaninë e Madhe. Por sipas Tares, përfshirja e këtij fondacioni krijon një konflik të pastër interesi.
"Administrimi apo menaxhimi i parkut të Butrintit në një formë të re është një ide që unë e kam sjellë në tryezën e Ministrisë së Kulturës 2 apo 3 vite të shkuara. Krijimi i një insitucioni në emër të publikut shqiptar, i administruar nga profesionistë shqiptarë, që bashkëpunon me institucione të tjera që kanë interes. Ky model sipas National Trust në Angli është marrë deri diku si shembull por është kthyer në krah të kundërt. I jepet një fondacioni të huaj që ka konflikt interesi, sepse ka paguar për ndryshimin e ligjit shqiptar të trashëgimisë, që i hap rrugë fondacioneve për menaxhimin e aseteve kulturore. Ka paguar planin e manaxhimit dhe plani thotë që AADF do të jetë administrator i Butrintit. Në çdo vend normal të Europës quhet konflikt i pastër interesi”.
Plani i ri i menaxhimit të Butrintit bazohet në ligjin e ri të trashëgimisë kulturore që u jep të drejtën fondacioneve të posaçme të bëjnë menaxhimin e këtyre parqeve, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës. Parku Arkeologjik i Butrinit është në listën e pasurive botërore të UNESCO-s që prej vitit 1992.



