Analisti Mustafa Nano thotë se ambasadorja amerikane gabon kur thotë se Tom Doshi nuk duhet të kandidojë për zgjedhjet e 25 prillit. Për MCN TV, Nano thotë se përsa kohë nuk ka një vendim gjykate, ai mund të kandidojë, por janë disa arsye të tjera përse ai nuk e do një personazh të tillë në Parlament.
"Kjo është një situatë e çuditshme në dijenë time, biografia e Tom Doshit është e pastër. Ambasadorja flet në bazë të informacioneve, madje jam i prirur të besoj se ai informacion është i saktë. Gjithsesi ajo nuk është kushtetuta. Unë nuk e dua Tom Doshin në parlament për arsye të tjera, sepse nuk është intelektual aq sa duhet, por jo sepse ai ka abuzuar ose është i korruptuar. Gjykata s’na ka thënë se Tom Doshi është i komplikuar. Ambasadorët nuk duhet të mbërrijnë në këto nivele", tha ai.
I pyetur nëse subjekti politik duhet të mbajë përgjegjësi për këto raste Nano shprehet: “Subjekti politik duhet të mbajë përgjegjësi në momentin që e merr në mbrojtje. Edi Rama këtë nuk e ka bërë. Partitë e mëdha i kanë mundësitë për të bërë një veting paraprak. Kjo nuk shërben si alibi për cilindo parti. Mendoj se janë të gjithë mundësitë për të bërë gjithçka”.



