Në ‘MCN Live’, eksperti i ekonomisë, Pano Soko, komentoi masat e fundit të qeverisë për çmimin e naftës.
Sipas vendimit, akciza do të hiqet 20% për çmimin e naftës që kalon 220 lekë për litër, një masë që autoritetet e prezantojnë si mbështetje për qytetarët.
Megjithatë, Soko paralajmëroi se këto vendime nuk do të ndikojnë realisht në çmimin për konsumatorin.
Nuk do të ndërhyjnë në çmimin e naftës, thjeshtë na mbajnë ne të qetë. Duhet të jemi naivë të besojmë se do të ndërhyjnë te çmimi i naftës.
Soko përshkroi situatën si një lojë ku qytetarët mbeten të pafuqishëm.
Nuk ka njeri të pakënaqur nga kjo situatë, dhe tregtarët dhe qeveria janë të kënaqur sepse ne jemi si dele ndërsa ata janë ujqër. Ata mbledhin lekë dhe ne marrim vetëm depresant prej tyre që të qëndrojmë të qetë.
Sipas tij, zbritja e akcizës për 7 lekë për litër nuk është një masë reale ekonomike, por një “pilulë antidepresant” për të qetësuar opinionin publik.
Eksperti nënvizoi se pas këtij vendimi, shteti do të vazhdojë të përfitojë, ndërsa qytetarët nuk do të ndjejnë ndryshimin në çmim.



