
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pranuar propozimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, për të formuar një ekip negociator në dialogun me Serbinë. Nga ana tjetër, Kurti ka kërkuar gjithashtu edhe emërimin e një udhëheqësi të ri të dialogut, ndërsa shton se Kosova duhet të hartojë edhe një strategji në këtë proces bashkë edhe me vlerësimin e dialogut të mëparshëm.
“E para, shqyrtimi dhe vlerësimi i dialogut 2011-2017 si dhe i rezultateve të tij; e dyta, përcaktimi i synimeve të Kosovës dhe i kërkesave tona ndaj Serbisë; e treta, formulimi i parimeve dhe kushteve të dialogut të ri; e katërta, forimi i ekipit tonë negociator me strategji dhe udhëheqës”, ka thënë Kurti, në mbledhjen e me udhëheqësit e Degëve të VV-së. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka kërkuar që Kosova të fokusohet në krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës, për të dialoguar me Serbinë.
“Nuk ka alternativë tjetër pos dialogut dhe Kosova duhet të jetë e gatshme. Punoni së bashku tani për një ekip gjithëpërfshirës, ekspertësh dhe konsensual. Fokusohuni në qëllimet e qarta afatëgjata të Kosovës”, ka thënë Delawie.



