Tre pacientë kanë vdekur gjatë kësaj jave në Argjentinë nga një lloj i pashpjegueshëm i pneumonisë që ka prekur gjithsej nëntë persona deri më tani.
Të gjitha rastet përqendrohen rreth një klinike mjekësore private në provincën veriperëndimore Tucuman.
Viktima e tretë ishte një grua 70-vjeçare e cila ishte shtruar në klinikë për një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët besojnë se ajo mund të ketë qenë "pacienti zero" për sëmundjen që prek rrugët e frymëmarrjes. Të sëmurët e tjerë janë personeli mjekësor në qendër.
Kontaktet e tyre të ngushta janë nën monitorim, por asnjë nuk ka shfaqur simptoma deri më sot. Sëmundja misterioze shkaktoi viktimën e saj të parë mes punëtorëve në klinikë të hënën dhe një viktimë të dytë, dy ditë më vonë.
Të dy të sëmurët, sikurse edhe gruaja 70-vjeçare, kishin sëmundje të tjera bashkëshoqëruse. Gjashtë pacientët e parë filluan të shfaqin simptoma midis 18 dhe 23 gushtit.



